Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Drejtoria e Financave në Gjilan apelon për pagesat e faturave të tatimit në pronë

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Zijadin Maliqi, ka mbajtur sot konferencë me gazetarë, në të cilën ka paraqitur punën që është bërë, sfidat që janë në të hyrat vetanake dhe pretendimet sipas planit të punës për pjesën e dytë të vitit 2018.

Drejtori Maliqi ka thënë se si drejtori kanë përgatitur rrjedhën e parasë për organizatat buxhetore në kuadër të Komunës, pastaj pasqyrat financiare dhe barazimet me departamentin e thesarit në Ministrinë e Financave, përgatitjen për bartjen e mjeteve vinanciare nga viti paraprak në vitin buxhetor 2018, kërkesat për alokimin e mjeteve nga të hyrat vetanake dhe deri te raporti financiar, i cili është miratuar në Kuvendin e Komunës.

Drejtori ka thënë se janë duke punuar edhe në përgatitjen e Korniozës Afatmesme Buxhetore për vitin 2019 dhe vlerësimet e hershme 2020-2021.

“Së bashku me drejtoritë tjera të Komunës së Gjilanit jemi duke punuar në përgatitjen e Kornizës Afatmesme Buxhetore, si planifikim për vitin 2019 dhe vlerësimet e hershme për vitin 2020-2021”, tha ai.

Zijadin Maliqi, ka apeluar te të gjithë tatimpaguesit që të bëjnë pagesën e Tatimit në Pronë si e hyra e drejtëpërdrejtë e qytetarëve për investime kapitale.

“Tatimi në Pronë është fusha që i kemi kushtuar rëndësi të veçantë gjatë kësaj periudhe. Janë shpërndarë mbi 32 mijë fatura të tatimit në prone, në vlerë prej 1.6 milion euro, të cilat janë shpërndar përmes postës nëpër familjet gjilanase. Pjesa e parë e vitit nuk ka qenë edhe aq mirë, por muaji maj ka filluar të ketë ndryshime pozitive dhe të hyra më të mëdha. Apelojmë te të gjithë tatimpaguesit që të bëjnë pagesën e borxhit, sepse pas datës 1 korrik, fillojnë kamatat dhe ndëshkimet që janë rënduese për xhepin e tyre”, ka bërë të ditur ai.

Gjithashtu drejtori Maliqi, ka thënë se “me ligjin e ri nga 1 tetori 2018, jemi të obliguar që të veprojmë përmes përmbaruesve dhe borxhlinjtë jemi të obliguar t’i dërgojmë në përmbarues, që pastaj do të kenë shpenzime edhe më të mëdha dhe rënduese çka në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë të bëjmë presion ndaj amvisërive. Borxhlinjtë më të mëdhenj janë ish-ndërmarrjet shoqërore dhe bizneset e Gjilanit, por edhe amvisëria gjithashtu.”

Ndryshe, gjatë këtij viti drejtoria e Financave ka zotuar afro dy mijë e 500 lëndë, të shpenzuara ka afërsisht shumën e njejtë, kurse, të çertifikuara dhe arkivuara janë dy mijë e 300 lëndë.