Drejtori i Qeverisë dhe Djali i Tij Mohojnë Akuzat

Ndërsa, mbrojtësi i djalit të tij, Adrianit, i akuzuar për mashtrim, tha se nuk është plotësuar figura e veprës penale.

“Edhe te transkripta e përgjimeve edhe te komunikimet në ‘Viber’ në asnjë prej rasteve nuk shihet apo nuk është vërtetuar se i mbrojturi im i kërkon para dhe i premton se ka me tu hjek ky dënim, domethënë në këtë fazë nuk e kemi asnjë provë që i vërteton këto dy elemente kyçe”, tha avokati Leon Përlaska.

Në fjalën hyrëse, prokurori i rastit tha se aktakuza ndaj zyrtarit të suspenduar të Qeverisë është e bazuar dhe e mbështetur në prova.

“Konsideroj se kjo aktakuzë është ngritur në bazë të provave të mjaftueshme që janë specifikuar në të, e të cilat prova veç e veç dhe të lidhura reciprokisht mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit i kanë ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat janë konkretizuar si në pikën 1 dhe 2 të aktakuzës”, tha prokurori Feti Tunuzliu.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami gjatë kohës që ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit së Kosovës e ka keqpërdorur autoritetin zyrtar. Që nga viti 2012 ishte takuar disa herë me të dëmtuarin e rastit, Elsadat Musliji, të cilit i kishte premtuar që përmes pozitës së vet do t’ia hiqte dënimin prej tri vitesh burgim të shqiptuar nga Gjykata e Qarkut.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami përmes djalit të tij, të akuzuarit Adrian Bajrami, më 9 shkurt të vitit 2017, i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, pasi që të njëjtit i kishte premtuar se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit me burgim.

Ndërkaq, djali i tij, Adrian Bajrami, fillimisht ia kishte marrë 10,000 euro, e më pas ia kishte kërkuar edhe 10,000 euro, ashtu që i dëmtuari Musliji është detyruar që rastin ta paraqesë në Polici.

Për këtë i akuzuari Zahir Bajrami ngarkohet me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij, i akuzuari Adrian Bajrami, ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Babë e bir ishin arrestuar nga Policia më 9 shkurt 2017.

KALLXO.com raportoi edhe për pezullimin e këtij zyrtari të Kryeministrisë.

http://kallxo.com/pezullohet-zyrtari-qeveritar-dyshuar-per-mashtrim/