Foto: Kallxo.com

Drejtori në Kadastër ndihet i pafajshëm në akuzat për pronën e komunës së Prizrenit

Dy të akuzuar në lidhje me një pronë komunale në Prizren u deklaruan të pafajshëm të hënën para Gjykatës Themelore të Prizrenit në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, prokurorja Ervehe Gashi ka propozuar që të shqyrtohen si prova 66 prova materiale, ku përfshihen dokumente, procesverbale, njoftime, aktvendime ankesa, ekspertiza, kontrata të ndryshme, të gjitha këto për të vërtetuat veprat që i ngarkohen të akuzuarve sipas aktakuzës.

Ismet Kryeziu, Drejtor i Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, u deklarua se ndihet i pafajshëm sepse tha se ka zbatuar vetëm ligjin.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Ervehe Gashi, edhe i akuzuari tjetër Xhavit Shabani, bashkëpronar dhe menaxher i ndërmarrjes ”Mali – Impex” në Prizren, u deklarua i pafajshëm.

Gjyqtarja e çështjes Ajser Skenderi caktoi datën 9 janar 2019, si datë për shqyrtimin e ardhshëm, ku mbrojtësit e të akuzuarve avokat Hazër Susuri, dhe avokat Skender Morina, do të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me provat e aktakuzës, dhe të paraqesin kërkesat e tyre për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, Ismet Kryeziu ngarkohet me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar. Sipas aktakuzës, Kryeziu nga maji i vitit 2007 e deri në gusht të vitit 2016 në cilësinë e personit zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për personin tjetër.

Aktakuza thotë se më 21 maj 2007 ai ka marrë aktvendim në kundërshtim me Ligjin mbi tokën Ndërtimore, me të cilin vendim ka aprovuar pjesërisht ankesën e ”Mali – Impex” në Prizren për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit të një pjese të ngastrës pronar i së cilës ishte Komuna e Prizrenit.

Me këtë aktvendimi i akuzuari Ismet Kryeziu në cilësi të zyrtarit ligjor, ka anuluar në tërësi aktvendimin e Zyrës Kadastrale në Prizren, për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të tokës dhe objekteve në ”Kompleksin e tregut të qytetit Prizren” nga pronari i deriatëhershëm Komuna e Prizrenit, duke e kaluar atë në shfrytëzim të ”Mali – Impex”.

Më tutje në aktakuzë specifikohet edhe veprimi tjetër kur i akuzuari Ismet Kryeziu në maj të vitit 2014 dha sqarim se ”Mali – Impex” duhet të regjistrohet si shfrytëzues i parcelave kadastrale urbane, pa përcaktuar afatin e shfrytëzimit dhe si pasojë e kësaj kompania u bë pronar i një parcele kadastrale, e kjo ngastër ishte vërtetuar nga certifikata e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në zyrën kadastrale në Prizren, duke i shkaktuar dëm material Kkmunës së Prizrenit me vlerën e sipërfaqes së lokaleve 978 metra katrore, duke përfshirë objekte depo, dhe tregje në sipërfaqe shtesë prej 220 metra katrorë.

Ndërsa i akuzuari i dytë Xhavit Shabani, ngarkohet me veprën penale të uzurpimit të paligjshëm i pronës së paluajtshme sepse, sipas aktakuzës, në vitin 2012 e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme e kishte uzurpuar pronën e paluajtshme shoqërore, në pronësi të komunës së Prizrenit, së bashku me të gjitha objektet e ndërtuara në të. Aktakuza thotë se Shabani kishte uzurpuar hapësirat të cilat i takojnë komunës së Prizrenit në bazë të kontratës mbi realizimin e tregut të qytetit në lagjen ”Ortakoll” dhe ankesave të kontratës në fjalë.