Sejdi Hoxha - Foto: KALLXO.com

Drejtori i Postës krenohet se takoi Azem Sylën - FOTO

Kryeshefi ekzekutiv i Potës së Kosovës, Sejdi Hoxha në një postim të tij në Facebook ka publikuar një fotografi së bashku më Azem Sylën, ish deputetin e PDK-së i akuzuar në rastin ‘Toka’.

Hoxha ka shkruar se është kënaqësi që në konakun e tij e ka pritur Azem Sylën.

“Kënaqësi që sot patëm në konak për vizitë Komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Dajen Azem”, ka shkuar ai.

Kujtojmë se Posta e Kosovës ka probleme financiare dhe mbingarkesë me numër të punëtorëve. Rreth 80 për qind të shpenzimeve në këtë ndërmarrje shkojnë për paga.

https://kallxo.com/hoxha-punetoret-e-postes-pa-paga-shkaku-i-qeverise/

Ndryshe në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016  ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com kishte siguruar edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Të gjitha raportimet lidhur me rastin ‘Toka’ mund t`i gjeni në këtë LINK

 

Teksti është edituar në titull nga kryeshefi i PTK-së në kryeshefi i Postës