Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës

Drejtori i Policisë: Zyrtari rus i UNMIK-ut mori pjesë në barrikada

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka dhënë detaje mbi arrestimin e një shtetasi rus gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit.

“Po është e vërtetë që në menjanimin e barrikadave, në njërën nga barrikadat ka qenë edhe një veturë e UN (Kombet e Bashkuara), dhe në të ka qenë një zyrtar i UN-it me prejardhje nga shteti rus dhe një zyrtar lokal që punon për UN-in. Arsyeja pse ne i kemi marrë ka qenë pjesëmarrja në barrikada”, ka deklaruar drejtori i Policisë.

Ai ka folur edhe për detajet tjera të aksionit, duke treguar edhe problemet që forcat e rendit i hasën në Zubin Potok.

“Mund të them qe operacioni ka filluar në 6:00 të mëngjesit. Kemi pasur bukur shumë probleme në Zubin Potok. Policia ka hasur në një pritë me gjuajtje me armë. Janë dy zyrtarë policor të plagosur lehtë. Duke parë këtë rrethanë të krijuar kemi dhënë urdhër për angazhimet elite dhe kemi filluar që ti eliminojmë barrikadat në rrugë dhe të depërtojmë deri në Zubin Potok” ka thënë Qalaj.

“Mund të them që kemi pasur edhe tre zyrtarë të lënduar por jo nga arma e zjarrit por nga intervenimet ose gjatë heqjes së bartikadave kemi ashtu edhe 6 qytetarë të lënduar”, deklaroi tutje shefi i forcave të rendit.

Sipas tij, aksioni ka pasur efektin e vet dhe është mjaft i suksesshëm.

“Ka pasur edhe bastisje në Mitrovicën e Jugut nën dyshimet e njëjta. Kemi arrestuar disa qytetarë. Nuk kemi pasur të lënduar rëndë dhe as fatalitete. Në disa lokacione kemi gjetur 11 armë të zjarrit dhe telefona”, tha në fund Qalaj.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka zhvilluar një operacion në komunat veriore, ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë ku ka pasur edhe policë të plagosur.

LINKU i konferencës së Prokurorisë dhe Policisë për aksionin e sotëm në veri.