Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, në DRP Veriu i Mitrovicës – Foto: Policia e Kosovës

Drejtori i Policisë vizitoi Veriun e Mitrovicës

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, sot ka realizuar një vizitë punë në Veriun e Mitrovicës.

Sipas njoftimit të Policisë, qëllimi i kësaj vizite të drejtorit Qalaj dhe stafit të lartë të tij ishte ngritja e performancës dhe integritetit policor në punë, ndërmarrja e masave policore në aspektin reagues dhe parandalues  të veprave të ndryshme kriminale.

Qalaj ndër të tjera ngriti edhe çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarit, bashkëpunimin dhe takimet me komunitetin, sigurinë në trafik, parandalimin e veprave kriminale, si grabitjet, vjedhjet, drogat etj.

Gjithashtu drejtori i Policisë ka kërkuar që të punohet me kapacitete profesionale ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës në këtë pjesë të Kosovës.

“Nga stafi udhëheqës i Drejtorisë Rajonale u kërkua që të punohet dhe të angazhohen edhe më shumë, në mënyrë që të  krijohet një klimë e qetë dhe më e sigurt për qytetarët, e që kontribuon edhe në sigurinë e përgjithshme të vendit. Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, kontrabandës si dhe të parandalojë rastet kriminale, andaj kërkohet angazhim nga të gjithë punonjësit pa dallime”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Takimi rezultoi me zotimin  për angazhime shtesë drejt përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore karshi qytetarëve të vendit.