Foto: Kallxo.com

Drejtori i Policisë: Gjendja në veri, e tensionuar para zgjedhjeve

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri për momentin është e qetë dhe mjaft stabile edhe pse, sipas tij, ka tensione parazgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe.

“Situata për momentin në veri është mjaft stabile, edhe pse e tensionuar bukur shumë para zgjedhjeve që do të mbahen. Situata atje është shumë më ndryshe se në pjesën tjetwr të Kosovës”, theksoi ai duke raportuar para Komisionit Parlamentar për të Drejta dhe Interesa të Komuniteteve.

Qalaj tha se qytetarët në atë pjesë të vendit ndjehen të tensionuar. Kreu i Policisë shtoi se në veri do të bëhen disa ndryshme sa i përket drejtorive policore.

“Atje do të ndodhin disa ndryshme shumë shpejt në drejtoritë policore, sepse politika dhe policia janë dy çështje të ndryshme. Qe një muaj e gjysmë kemi zëdhënës për media në drejtorinë rajonale të veriut. Në veri do të jemi të angazhuar shumë sa i përket zgjedhjeve. Të mos lejojmë që njerëzit të jenë të kërcënuar dhe të tensionuar dhe ta ndjejnë veten të lirë për të votuar. Gjendja është e tensionuar por pak më e relaksuar se muaj më parë”, tha Qalaj.

Këto deklarime, drejtoi i PK-së i bëri gjatë raportimit para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe incidentet që kanë motive ndëretnike.

Duke raportuar është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.