Rigjykimi i Enver Hoxhës - Foto: KALLXO.com

Drejtori e ish-drejtori i KEK-ut dëshmitarë në gjykimin e Enver Hoxhës për 'maicat'

Në gjykimin ndaj Enver Hoxhës, i akuzuar se i ka shkaktuar dëm KEK-ut në vlerë prej 57 mijë eurove, Prokuroria po pretendon se ka prova të mjaftueshme me të cilat do të dëshmohet fajësia e tij.

Enver Hoxha akuzohet se me rastin blerjes së 2.464 ‘maicave’ në emër të KEK-ut, nuk e ka respektuar Ligjin e Prokurimit, duke i shkaktuar dëm KEK-ut në vlerë prej 57 mijë eurove.

Në janar të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, kishte shpallur aktgjykim lirues lidhur me të akuzuarin, pasi kishte vlerësuar se nuk është provuar se Hoxha e ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më pas e ka kthyer rastin në rigjykim.

https://kallxo.com/enver-hoxha-lirohet-ne-gjyqin-per-maica/

Në seancën e parë pasi që ky rast u kthye në rigjykim, prokurori Rafet Halimi deklaroi se me anë të provave që do të administrohen në shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Naim Rudari tha se vendimi i Gjykatës së Apelit, me të cilin është aprovuar ankesa e Prokurorisë që rasti të kthehet në rigjykim, nuk është e bazuar saktësisht në provat e proceduara në Gjykatë.

Po ashtu, avokati Rudari shtoi se Gjykata e Apelit me arsyetimin që ka dhënë në aktvendim e saj e ka komplikuar pak këtë çështje, me arsyetimin se kjo Gjykatë ka propozuar që të dëgjohen disa dëshmitarë që në procedurën e gjykimit fillestar nuk ishin propozuar të dëgjohen nga askush.

“Si nga ana e Prokurorisë edhe nga ana jonë ka qenë e paarsyeshme të ftohen edhe dëshmitarë të tjerë, sepse në dëgjimin e dëshmitarëve që janë dëgjuar është vërtetuar se i akuzuari nuk ka kryer veprën penale që i vihet në barrë”, tha avokati Rudari.

Tutje, avokati Naim Rudari tha se edhe në këtë procedurë të rigjykimit qëndrojnë prapa fjalës hyrëse të dhënë me datë 22 shtator 2017, me të cilën kanë kundërshtuar aktakuzën dhe provat e ofruara nga ana e Prokurorisë.

Ndërsa përfaqësuesja e palës së dëmtuar, KEK-ut, Shukrije Tërnava, deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale duke shtuar se do parashtrojnë kërkesë pasurore juridike në vlerë prej 57.164,80 eurosh.

Lidhur me këtë rast, kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi tha se janë në një situatë interesante, kjo sepse sipas tij Gjykata e Apelit ka dhënë konstatim në të cilin thotë se aktgjykimi është marrë pa dëgjimin e dëshmitarëve Njazi Thaqi, Istref Klinaku, Avni Alidemaj, Naim Sahiti, Edmond Nulleshi, Sali Bytyqi e Arben Gjukaj.

“Janë dëshmitarë që nuk është marrë askush me ta as prokurori, as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, as i akuzuari”, ka thënë gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Lidhur me këtë, prokurori Rafet Halimi tha se e vlerëson si të panevojshme të thirren dëshmitarët e sugjeruar nga Apel.

Më pas kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi mori aktvendim që për seancën e radhës të ftohen për t’u dëgjuar dëshmitarët e sipërpërmendur.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 26 prill.

Prokuroria e akuzon Enver Hoxhën se në pozitën e projekt-menaxherit të Divizionit për Prodhimin e Qymyrit në KEK, më 19 qershor 2013, me qëllim të përfitimit për vete ose persona të tjerë, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar në atë mënyrë që ka lejuar blerjen e 2.464 maicave nga “OE Ripten Enginnering” nga Prishtina.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Enver Hoxha nuk e ka përfillur procedurën e paraparë sipas Ligjit për Prokurimin Publik, duke vepruar në kundërshtim me kontratën 4710 16.07.2011 për llot -1 në të cilën është thirrur.

Vlera e dëmit që i ka shkaktuar i akuzuari KEK-ut, sipas aktakuzës, ishte 57 mijë euro.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Raportet mund t’i gjeni në këtë link.