
Hajri ramadani, ish- drejtor i Arsimit në komunën e Dragashit. Foto: Kallxo.com
Drejtori i Dënuar i Arsimit Largohet Nga Puna
Kryetari i komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, e ka larguar nga detyra drejtorin komunal të Arsimit, Hajri Ramadani pasi dënimi ndaj tij është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Kryetari Jenuzi tha për KALLXO.com se largimi i drejtorit nga detyra ka ndodhur sapo ai ka marrë vendimin e Gjykatës.
“Unë në momentin që e kam pranu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, kam vepruar sipas ligjit duke e larguar nga detyra e drejtorit, pasi që atij në bazë të këtij aktgjykimi nuk i lejohet që ta ushtrojë këtë pozitë, ndërsa unë vetëm kam zbatuar ligjin”, tha për KALLXO.com kryetari i komunës së Dragashit”, tha ai.
Edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj, tha për KALLXO.com se Hajri Ramadanit i është ndërprerë ushtrimi i funksionit të drejtorit komunal.
Kur raportoi për këtë çështje KALLXO.com më 16 tetor, doli se Gjykata e Themelore në Prizren, e kishte pranuar se aktgjykimin nuk ia kishte dërguar kryetarit të komunës.
Aktgjykimi i është dërguar Jenuzit vetëm pas interesimit të KALLXO.com.
Gjykata në Prizren, në dhjetor të vitit të kaluar, e kishte dënuar Ramadanin me 1 vit burg me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy viteve nuk kryen tjetër vepër penale. Atij i ishte shqiptuar edhe një dënim plotësues për mosushtrim të funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Ai akuzohej sepse gjatë vitit 2013, duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij duke zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme në pozitën e drejtorit të gjimnazit “Ruzhdi Berisha”, një kandidat që nuk i plotësonte kushtet.
Ai nuk e kishte respektuar as vendimin e Inspektorati të Arsimit që brenda 15 ditëve ta anulojë përzgjedhjen dhe ta shpallë konkursin e ri për zgjedhjen e drejtorit në këtë shkollë.