Drejtoresha e Edukimit Botëror: Orët e humbura gjatë grevës duhet të zëvendësohen

Drejtoresha e Edukimit Botëror për regjionin e Europës, Susan Flocken, në një konferencë për media më përfaqësues të SBAShK-ut, tha se orët e humbura gjatë grevës trejavore të mësimdhënësve duhet të zëvendësohen.

“Mendoj se duhet të zëvendësoni orët e humbura përmes dialogut social sepse greva është bërë për rritjen e cilësisë në arsim, kur flasim për dialogun social po ashtu duhet të përfshihen edhe kushtet e mësimdhënësve për realizimin e një ore, siç janë problemet me dixhitalizim, çfarë u duhet atyre që të përmirësohet profesioni”, tha ajo.

Ndërsa në lidhje me këtë çështje, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se për këtë do të vendos këshilli drejtues i kësaj Sindikate.

“Sa u përket orëve të humbura gjatë grevës, ligji për grevat nuk e obligon një gjë të tillë, por pas një vlerësimi në terren do të takohemi me MASHT-tin dhe do të veprojmë më së miri. Po ashtu do të vendosim së bashku me Këshillin Drejtues, sepse unë duhet të mbroj qëndrimin e tyre, nëse shumica vendosin për jo, atëherë do të mbështes vendimet e tyre”, tha Jasharaj.

Flocken po ashtu tregoi para mediave se sot ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, kryeministrin, Ramush Haradinaj si dhe ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ku i ka përshëndetur për zgjidhjen e pagave të mësimdhënësve.

Ndërsa, Jasharaj tha se ka marrë garancinë nga Susan që nëse përsëri do të ketë greva, do ta ketë mbështetjen e saj.