Drejtësia në 2015-ën
Emisioni trajton detajet dhe prapaskenat e garës për kryeprokurorin e shtetit me momentet më interesante të akuzave dhe kundërakuzave në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Shantazhet në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe akuzat e kundërakuzat për shantazh e krim të organizuar në mes prokurorëve të lartë të Kosovës.
Në analizën e vet, emisioni trajton ngecjet e Policisë së Kosovës gjatë 2015-ës, e në veçanti reagimin e policisë gjatë protestave të dhunshme. Detajet kur policisë iu harxhua lotsjellësi dhe kur policët mbetën pa helmeta do jenë pjesë e kësaj përmbledhjeje.
Pjesë e emisionit të sotëm do jetë edhe hulumtimi për dallaveret me ekskursionet mësimore me nxënës në Komunën e Mitrovicës, rasti i plakjes së korrupsionit në Gjykatën e Gjilanit, problemet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit të tyre pasi u vendosën në Pallatin e Drejtësisë dhe kërcënimet e prokurorëve me arrestim.
Në pjesë të tjera të emisionit mund të ndiqni reagimet e Zyrës së Kryeparlamentarit Kadri Veseli pak minuta pasi “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se këshilltari i tij Emir Azemi ishte i dyshuar për shitje droge. Zhveshja e të kaluarës kriminale të Donjeta Kasumit- Kallashit po ashtu është pjesë e përmbledhjes vjetore.
Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia” me dy aksione ekskluzive të konfiskimit të 80 kilogramëve marijuanë. “Drejtësia në Kosovë” çdo të premte nga ora 21 e20 në RTK.