Dramaturgu gjerman vjen në Prishtinë, ‘monitoron’ shfaqjen ‘Artisti i vetëm’

Shfaqja “Artisti i vetëm” me tekst të dramaturgut gjerman Ralph Hammerthaler dhe regji të Naim Berishës, do të shfaqet më 26 të këtij muaji në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”.

Ndërkaq, po më 26 janar 2019 është paralajmëruar edhe ardhja e autorit të monodramës ‘Artisti i vetëm’, dramaturgut nga Berlini Ralph Hammerthaler për të përcjellur shfaqjen që do të jepet në “Dodonë”.

Lajmi për mundësinë që Hammerthaler ta vizitojë Prishtinë për Kallxo.com është konfirmuar nga aktori dhe regjisori i monodramës, Naim Berisha.

“Më 26 janar në orën 19:00 në teatrin ‘Dodona’ jepet monodrama ‘Artisti i vetëm’ do të jetë prezent autori i kësaj monodrame”, ka pohuar Berisha.

Monodrama “Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes së publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për tu vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.

Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrefen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen.

Në fund të shfaqjes Hans Klip vetëlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Shfaqja në mesazhin e saj, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivlerës.