SKANDAL: Dosjet Sekrete për Fitila të Farave

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe solli hulumtimin që tregon për skandalin e rrjedhjes së dokumenteve konfidenciale të përgjimeve telefonike.

Siç tregoi hulumtimi i ekipeve të “Drejtësia në Kosovë”, dosjet e përgjimeve telefonike, të cilat sipas ligjit nuk guxojnë të bien në duart e personave të paautorizuar, kanë përfunduar në duart e qytetarëve si fitila të farave nga farë-shitësit nëpër sheshet e Prishtinës.

Ekipi hulumtues i “Drejtësia në Kosovë” solli rrëfimet e disa prej shitësve të farave në sheshet kryesore të kryeqytetit, që tregojnë se ku i kanë marrë dosjet sekrete të përgjimeve.

“Janë kanë disa të Ministrisë së Punëve të Brendshme na kanë kontrolluar dhe mua m’i kanë marrë letrat. Unë i kam ble prej romëve”, ka deklaruar njëri nga shitësit, pa dashur që t`i bëhej publik emri i tij.

I pyetur nga ekipi i emisionit, shitësi tjetër tha se “Policia kanë vetë ma moti, para nja dy-tre muaj i ka. Kanë ardhur, i kanë kontrolluar edhe këtu. Po ua kanë kontrolluar krejt tezgave, po kanë qëllu nja dhjetë dosje qasi, qatyne çka janë kanë dosje nuk e di. I kanë marrë ato” ka thënë njëri nga shitësit e farave në sheshin “Zahir Paraziti” në kryeqytet. [interaction id=”56caf6798f0287d70a5c97ae”]

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë” lidhur me këtë skandal Policia e Kosovës tashmë është duke zhvilluar hetime.

“Në dhjetor të vitit 2015 e kemi pranuar një ankesë nga një qytetar dhe pas intervistimit të palës është hapur një rast zbulim i paautorizuar i informatës konfidenciale në stacionin policor Qendra, në Prishtinë. Janë shoqëruar dhe intervistuar disa persona lidhur me këtë rast. Mirëpo, deri tani nga ana e policisë nuk i është shqiptuar ndonjë masë arresti apo ndalimi policor askujt”, thuhet në përgjigjet me shkrim të Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, transmetoi  “Drejtësia në Kosovë”.

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, e pranon se dosje sekrete të përgjimeve telefonike kanë përfunduar në duart e shitësve të farave. Mirëpo sipas tij, kjo është bërë nga pakujdesia dhe jo për përfitime personale të dikujt, apo për ta dëmtuar dikë.

“Ne jemi të informuar për këtë situatë edhe menjëherë kemi filluar kontaktin me policinë. Hetuesit e kanë marrë përsipër me i zhvillu hetimet dhe kanë filluar hetimet për këtë rast. E kemi vërejtur se këto përgjime kanë dalë prej tri bazave mendoj, ose prej policisë, ose prej gjykatës, ose prej prokurorisë”, ka deklaruar kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Sipas tij, kjo rrjedhje e dokumenteve sekrete është si pasojë e neglizhencës, ose pakujdesisë së njerëzve të cilët punojnë në fotokopjimin e materialit.

“Nuk mundemi ta dimë sa letra janë, vetëm se kemi gjetur prova që kanë dalë dhe janë shitur si letër. Mendoj në të vërtetë janë marr si letër për përdorim. Për fat të mirë deri më sot këto transkripte të bisedave telefonike nuk janë keqpërdorur. Është ndaluar kjo mundësi menjëherë, kanë reaguar policia edhe e kanë kthyer në gjendjen e mëparshme materialin. Por, unë mendoj se nëse është dalë një material i tillë, ai ka dalë prej pakujdesisë së punëtorëve të cilët punojnë në shërbim të cilido qoftë dhe mosasgjësimit të kopjeve të tepërta në makinën e caktume“, ka deklaruar i pari i prokurorisë së Prishtinës Imer Beka.

Ai ka premtuar se sa më parë që është e mundur do t`i përfundojnë hetimet rreth këtij skandali për t`i sjellë para përgjegjësisë ata që është dashur të kujdesen për ruajtjen e atij materiali sekret.

Mentor Hoxhaj, mbikëqyrës shtetëror në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, thotë se një skandal i tillë i rrjedhjes së dosjeve të përgjimeve telefonike cenon shumë rëndë integritetin e atyre personave që kanë qenë subjekt i atyre përgjimeve telefonike.

“Kjo është një shqetësim relativisht i madh sa i përket masave të cilat janë përdorur për ruajtjen e këtyre të dhënave. Prokurori i rastit është dashur që gjatë gjithë kohës të marrë masat e duhura që ato materiale të mbesin të fshehura, respektivisht të mbyllura, në bazë të standardeve të përcaktuara edhe me Kodin e Procedurës Penale. Dhe ato duhet të mbahen të mbyllura tek gjykatësi përkatës gjer në vendimin e radhës, i cili mund të jetë zbulimi i atyre të dhënave apo shkatërrimi i tyre”, ka deklaruar Hoxhaj, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Ekipet hulumtuese të “Drejtësia në Kosovë”, edhe më parë kanë faktuar rrjedhjen në publik apo tek personat e paautorizuar të dokumenteve sekrete dhe të dosjeve të përgjimeve telefonike.

“Drejtësia në Kosovë” ka raportuar për skandalin e rrjedhjes së përgjimeve nga Prokuroria e Gjakovës. Për këtë rast kryeprokurorja e suspenduar, Shpresa Bakija po gjykohet në Gjykatën e Gjilanit.

http://kallxo.com/prokurorise-ne-gjakove-i-rrjedhin-mesazhet-e-dashurise-se-gruas-me-fqinjin/

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë” para disa ditësh, Kryeprokurori i Shtetit me seriozitetin më të madh ka kërkuar të hetohet mënyra se si përfunduan në duart e gazetarëve vendimet për zgjerimin e hetimeve për kardiologët.

Me gjithë deklarimet e Kryeprokurorit të Shtetit, hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” dëshmoi edhe kësaj radhe se skandalet e rrjedhjes së dosjeve sekrete, sikur ato të përgjimeve telefonike që përfunduan në fitila të farave nuk kanë të ndalur.