Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Dosja me Shkelje e TC ‘Kosova e Re’ Dërgohet në Prokurori

Në dosjen për Termocentralin “Kosova e Re” të dërguar në Prokurori, Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) thotë se i kanë përfshirë të gjitha shkeljet që i ka bërë Qeveria e Kosovës që nga inicimi i tenderit për ndërtimin e termocentralit.

“KOSID vlerëson që vazhdimi i këtij projekti do të shkaktojë dëme të mëdha financiare, ekonomike, sociale, dhe mjedisore në Kosovë. Andaj, një hetim i këtij procesi është tejet i rëndësishëm në mënyrë që të mbrohet interesi publik”, tha Rinora Gojani, menaxhere e programit në KOSID.

Shkeljet dhe parregullsitë e projektit “Kosova e Re” u evidentuan përmes kronologjisë së publikuar sot nga KOSID – “Një histori e shkurtër e një dështimi të madh të politikave energjetike në Kosovë”.

Që nga fillimi i idesë së projektit për një termocentral të ri mungojnë referenca të qarta se cilat ligje të Kosovës kanë qenë të aplikueshme.

Gojani tha se shqetësuese është tendenca e Qeverisë për të anashkaluar të gjitha ligjet e Kosovës gjatë zhvillimit të këtij projekti.

Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës pretendon se është liruar nga zbatimi ligjit për Ligjin për Partneritet Publiko-Privat dhe Ligjit për Prokurimin Publik duke u arsyetuar se janë duke u mbështetur në procedurat e prokurimit në përputhje me praktikat e mira dhe udhëzimet e prokurimit të caktuara nga Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar i Bankës Botërore.

“Standardet e Bankës Botërore apo të cilësdo organizatë tjetër, nuk mund të mënjanojnë ligjet e Kosovës në fuqi, pasi që ato nuk mund të jenë bazë ligjore për Kosovën, por vetëm një udhëzues për procesin. Për më tepër, këto standarde kërkojnë transparencë të plotë të procesit, gjë që Qeveria nuk ka implementuar me këtë projekt”, tha Gojani.

KOSID-i insiston që Ligji i Prokurimit Publik është shkelur në projektin e “Kosovës së Re”.

“KOSID gjatë monitorimit të tij ka vërejtur shumë parregullsi në punën që është bërë në projektin e termocentralit, gjë që ka bërë që të shkelen disa ligje të Kosovës, dhe një ndër to është Ligji për Prokurim Publik. Ky ligj i cili thotë se në mënyrë që procesi i tenderit të vazhdojë duhet të jenë minimum dy oferta, ndërsa për ndërtimin e këtij termocentrali është vetëm një ofertues”, tha Gojani.

Ajo tha se tendenca e Qeverisë për të shtyrë përpara projektin e “Kosovës së Re” pa përfundimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) është shkelje e rrezikshme.

“VNM është proces i cili duhet të përcaktojë nëse projekti është i realizueshëm, të tregojë se në çfarë mase projekti do të dëmtojë mjedisin dhe të tregojë pasojat e pritshme sociale nga ky projekt dhe se sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike pas ndërtimit të këtij termocentrali. Duke e shtyrë procesin përpara pa këtë vlerësim të rëndësishëm paraqet një shkelje të ligjit të Kosovës Nr. 03/L-214 për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, i cili është i detyrueshëm për termocentralet mbi 50 MW”, tha ajo.

Ky Vlerësim sipas saj është I domosdoshëm për bordin e Bankës Botërore para se të marrë vendim nëse do të mbështes apo jo Garancinë e Pjesshme të Rrezikut (GPR) për termocentralin e ri të propozuar.

Po ashtu, Gojani thotë se ka manipulime edhe sa i përket kostos së ndërtimit të termocentralit dhe numrit të punëtorëve që do të punojnë aty.

“Sipas vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’ thuhet se shuma do të arrijë mbi 1 miliard euro, përderisa nga një analizë e cila është zhvilluar nga një institut i pavarur thuhet se kostoja që një Termocentral i tij mund të arrijë është deri në 4 miliardë euro pasi që i kemi mbledhë të gjitha mjetet financiare edhe subvencionet dhe kostot e tjera që janë përveç ndërtimit”, tha Gojani.

KOSID ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë projektin e “Kosovës së Re”, duke marrë parasysh shkeljet e shumta përgjatë këtyre 10 viteve.

“Edhe pse projekti TCKR është në zhvillim e sipër për më shumë se 10 vite, pyetjet bazë të tilla si kapaciteti, modeli i biznesit, teknologjia e cila do të përdoret, kostoja financiare etj. për termocentralin, mbeten pa përgjigje”, tha ajo.

KOSID-i në të kaluarën kishte prezantuar një raport që thotë se termocentrali “Kosova e Re” do të kushtojë më shtrenjtë se planifikimet.

http://kallxo.com/kosid-kosova-e-re-shtrydh-buxhetet-familjare/

Po ashtu, KOSID ka thënë se ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 30%.

http://kallxo.com/kosid-me-termocentralin-kosova-e-re-rryma-30-me-shtrenjte/