Dosja: Kosovarët kontrabanduan shtetas nga Nepali

Qamil dhe Liridon Hyseni, të akuzuar për ndihmë në  kryerjen e veprës penale kontrabandim me migrantë, e pranuan fajësinë.

Ndërsa tre të tjerë, Gophan Singh Khadaka, Eran Elshani dhe Milazim Selmani, u deklaruan  të pafajshëm.

Pas 11 dështimesh për mbajtjen e seancës gjyqësorë, sot u arrit të mbahet seanca fillestare, ndaj të akuzuarve për kontrabandim me migrantë

Prokurori  Ilaz Beqiri deklaroi se pajtohet me pranim e fajësisë nga ana e të pandehurve Qamil dhe Liridon Hyseni, duke i propozuar gjykatës që ta aprovojë një pranim të tillë dhe të merret si rrethanë lehtësuese, po ashtu të veçohet procedura ndaj tyre.

Trupi gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica, e  aprovoi pranimin e fajësisë, së dy të akuzuarve Qamil dhe Liridon Hyseni, dhe mori aktvendim qe ndaj tyre të veçohet procedura, si dhe njoftoi që shpallja e aktgjykimit për dy të akuzuarit që e pranuan fajësinë, do bëhet me 20 mars.

Më tutje seanca vazhdoi me tre të akuzuarit tjerë, Gophan Singh Khadaka, Eran Elshani dhe Milazim Selmani, të cilët u deklaruan të pafajshëm.

Mirëpo mbrojtja e të akuzuarit Gophan Singh Khadaka,  avokatja Fllanza Avdiu, deklaroi se nga Prokuroria nuk ka pranuar transkripten e bisedimeve, dhe kërkoi nga ana e Prokurorisë që t’i sigurohen këto prova, ku sipas saj këto prova mbështesin faktet vendimtare të përshkruara në aktakuzë.

Prokurori Ilaz Beqiri e kundërshtoji kërkesën e mbrojtjes,  duke thënë se Prokuroria nuk ka  prova tjera e as trasnkripta, pos atyre që ka propozuar në aktakuzës.

“Sa i përket kërkesës së mbrojtëses për shpikjen e provave,  te cilat nuk janë propozuar në aktakuzë, ato prova le ti siguron mbrojtja, ndërsa sa i përket prova te propozuara  në aktakuzë  mbrojta është furnizuar dhe ato janë CD e bisedimeve telefonike”, tha prokurori Beqiri.

Por trupit gjykues, mori aktvendim që Prokuroria t’ia sigurojë transkriptat mbrojtjes, si dhe të akuzuarit, Gophan Singh Khadaka, Eran Elshani dhe Milazim Selmani, i njoftoi se brenda afatit prej 30 ditësh, kanë të  drejtë të bëjnë kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Ndryshe gjykatësja, Naime Krasniqi – Jashanica, ka deklaruar se ndaj dy të akuzuarve Nikollë Bardheci dhe Besim Neziri, është veçuar proceduara, sepse sipas informatave të zyrtarëve policorë të njëjtit gjenden jashtë shtetit.

Sipas aktakuzës i akuzuari Gopal Singh Khadaka, akuzohet së në muajin maj të vitit 2012, në mënyrë të kundërligjshme ka sjellë në Kosovë disa shtetas nepalez, të cilët për një kohë i ka vendosur në hotel “Evropa” në Gjilan dhe nga aty i ka marrë tani i gjykuari Idriz Gashi dhe në mënyrë ilegale i ka dërguar në Serbi, me ndihmën e disa personave shtetas të Serbisë, ku Idriz Gashi, pasi i ka dërguar në Serbi personat e tillë, ju ka marrë pasaportat e tyre dhe të njëjtat i ka dorëzuar tek i pandehuri Gopal Singh Khadaka.