Dosja e Prokurorisë: Sa paguanin kandidatët për blerjen e një patentë-shoferi
Afera e patentë-shoferëve në Prishtinë ishte ndër temat kryesore gjatë këtij muaji në vend.
Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon për mënyra të ndryshme të kalimit të testeve me marrëveshje paraprake si dhe shumat të cilat kandidatët i paguanin për marrjen e një patentë-shoferi.
Çmimet të cilat paguheshin për marrjen një patentë-shoferi nga kandidatët silleshin prej 400 deri në 1.000 euro, varësisht kategorisë dhe marrëveshjeve paraprake me zyrtarët.
Në dosjen e Prokurorisë përmendet se si zyrtari i patentë-shoferëve Agim Restelica i gjuan paratë të cilat i merr nga zyrtari Naser Llugaliu në tavolinë dhe thotë: “A a u ra çmimi vëlla, a nuk është 400 ma a?“, thuhet në dosje.
Përpos zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për aferën me patentë-shoferë po dyshohen edhe pronarë të auto-shkollave dhe doktorë.
Avdush dhe Premtim Topalli dyshohen se si pronar të auto-shkollës “Flora”, kanë marrë ryshfet nga kandidatë të ndryshëm në shuma prej 400 deri në 1.000 euro varësisht kategorisë së patentave dhe sipas marrëveshjes paraprake me zyrtarë të patentë-shoferëve.
Ndërsa Shkelqim Statovci, Haki Jashari, Liljana Bozhanic, Ava Kurteshi dhe Burim Jashari dyshohen se kanë marrë ryshfet nga kandidatët e ndryshëm pasi i kanë pajisur me certifikata mjekësore pa i kontrolluar fare.
Sipas Prokurorisë kandidatët paguanin nga 25 euro për marrjen e këtyre certifikatave pa u kontrolluar.
Format më e shpeshtë e kalimit të testit nga kandidatët që kishin marrëveshje me zyrtarët e patentë-shofereve ishte plotësimi i testeve nga ana e ekzaminuesve të testit teorik.
Prokuroria pretendon se për plotësimin e këtyre testeve përkujdeseshin ekzaminuesit Naser Bislimi, Adem Binakaj, Eduard Brahimaj, Azem Miftari, Agim Restelica, Flamur Lekaj dhe Laurat Shehu.
Ekzaminuesi Adem Binakaj dyshohet edhe se kishte hyrë në zyrën e Naser Llugaliut – koordinator për patentë-shofer në Ministrinë e Infrastrukturës bashkë me një kandidat të cilit ia kishte dhënë një test dhe i kishte diktuar përgjigjet e sakta.
Ata dyshohen se në vazhdimësi deri më 5 korrik 2019 kanë mbushur testet në bazë të marrëveshjeve me kandidatë.
Prokuroria e Prishtinës pretendon se listat e kandidatëve kontrolloheshin para se ata t’i nënshtroheshin testit.
Drejtoresha e Qendrës së patentë shoferëve në Prishtinë Filiz Krasniqi dyshohet se bashkë me ekzaminuesin Azem Miftari i kanë shikuar listat e kandidatëve me qëllim të identifikimit të personave për të cilët kanë pasur rekomandime t’i kalojnë në pjesën teorike.
https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-ekzamineri-i-dikton-kandidatit-testin-e-patente-shoferit/
Prokuroria pretendon se Krasniqi mbante disa kopje të listave të personave që kanë për t’iu nënshtruar testit teorik dhe i kishte diktuar disa emra Fejzullah Ejupit i cili ishte në pozitën e zyrtarit administrativ të cilët i kishte shenjëzuar në listën e kandidatëve.
Po ashtu, Prokuroria pretendon se Naser Llugaliu bashkë me Filiz Krasniqin e kishin shikuar një folder me ngjyrë të zezë, të cilin ua kishte sjellë e dyshuara Filloreta Ajvazi dhe e kishin nxjerrë një test nga dosja dhe e kishin shikuar.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari Naser Llugaliu ishte i kujdesshëm pasi folderin e kishte prekur me një letër nga frika e mbetjes së gjurmëve të gishtave.
Në lidhje me atë dosje, Filiz Krasniqi i kishte thënë Filloretës: “Shko shtine diku këtë dosje kishe ti nuk din sen”.
Gjatë muajit korrik, Policia e Kosovës kishte arrestuar 23 persona në lidhje me këtë aferë.
https://kallxo.com/skandali-i-patente-shofereve-pergjimet-e-policise-zbulojne-format-e-plotesimit-te-testeve/
Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar paraburgimin për 19 nga të arrestuarit ndërsa Gjykata e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj tyre kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Të gjithë të dyshuarit në seancën dëgjimore ishin deklaruar të pafajshëm për pretendimet ndaj tyre.
Në lidhje me këtë aferë disa ditë më parë u arrestuan edhe dy zyrtarë policorë të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Ata u arrestuan nën dyshimet për manipulim me provat e rastit të patentë-shoferëve.
Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se në lidhje me ketë aferë janë intervistuar edhe tre zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.