Dosja e prokurorisë për vrasjen në Gjilan, babai e thirri 16 vjeçarin: "Hajde se donë me më mytë"

 

 

KALLXO.com ka siguruar një kopje të kërkesës në të cilën  jepet arsyetimi në lidhje me ngjarjen e vrasjes së 24 vjeçarit me inicialet A. N. Versioni i prokurorisë sqaron se 24 vjeçari ishte duke u përleshur me të atin e 16 vjeçarit në momentin kur u qëllua.

Në kërkesë jepet edhe versioni i saktë i ngjarjes së ditës së diele ku i mituri 16 vjeçar kishte qëlluar me pushkë gjuetie kushëririn e tij 24 vjeçar.

“.. Më datë 19 gusht 2018, rreth orës 17:50, në fshatin Verbicë e Zhegocit, Komuna e Gjilanit, pas një mosmarrëveshje verbale, fyerje që kishin pasur i dyshuari B. N dhe viktima A. N, i pandehuri B. N e kishte thirrë të miturin A.N (djalin e tij me fjalët )‘o A…, eja se dojnë mem mytë’, pastaj i mituri A. N, kishte marrë pushën e gjuetisë në shtëpinë e tij dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të viktimës A. N dhe si pasojë e plagëve të marra i ndjeri A. N kishte ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri ishte arrestuar nga ana e policisë në Gjilan..”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë pranë kërkesës për caktimin e paraburgimit.

Gjithashtu në kërkesë thuhet se i pandehuri B. N në shtëpinë e tij në fshatin Vërbicë e Zhegocit në mënyrë të paautorizuar e në shkelje të ligjit ka mbajtë në pronësi një pushkë gjuetie dhe 24 fishekë të së njëjtës armë ndërsa katër fishekë janë gjetur dhe konfiskuar ditën kritike kur kishte ndodhur ngjarja.

Sipas prokurorisë, i pandehuri B. N ka kryer dy vepra penale shtytje në vrasje të rëndë dhe posedim i paautorizuar i armës, ndërsa i mituri A. N sipas prokurorisë dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit nën arsyetimin se dy të dyshuarit për involvim në vrasjen e 24 vjeçarit nga Komuna e Gjilanit, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarët e rastit.

Dënimi për vrasjen e 24 vjeçarit nga Vërbica e Zhegocit sipas prokurorisë, për dy të dyshuarit është jo më pak se 10 vite burgim, duke u bazuar në rrethanat që është kryer vrasja.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me vrasjen që ndodhi të dielën në Vërbicë të Zhegocit.

24 vjeçari në Gjilan u vra me pushkë të gjuetisë

Vrasja e 24 vjeçarit: Policia nuk patëm urdhër për bastisje

Vrasja në Gjilan: Policia pranon se pati informacione për konfliktin

Vrasja në Gjilan, Prokuroria arsyeton pse nuk urdhëroi bastisje