Seanca fillestare për tentim dhunim 24.05.2019

Dosja e Prokurorisë - I akuzuari i hyri në dhomë viktimës në Strovcë të Vushtrrisë dhe tentoi ta dhunojë

Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahet sot në Gjykatën e Mitrovicës për veprën penale të tentim dhunimit ka dështuar.

Sipas Prokurorisë së Mitrovicës ky rast ka ndodhur në mars të vitit 2015 në fshatin Strovcë të Vushtrrisë.

Akuza e prokurorisë thotë se N. A. kishte hyrë në shtëpinë e të dëmtuarës F. A. dhe me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të dhunimit, të cilën nuk e kishte përfunduar.

Gjithnjë sipas aktakuzës i akuzuari ka shfrytëzuar rastin deri sa bashëshorti i të dëmtuarës ishte në dyqanin e fshatit dhe ishte futur padiktueshëm brenda në dhomë, pasi dera nuk ka qenë e mbyllur me qelës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, derisa viktima ishte e shtrirë në shtrat i është hedhur mbi trup, e puthë në buzë, e pastaj njërën dorë ja futë në mes të dy këmbëve dhe të njëjtën e hedhë nga krevati në dysheme dhe hidhet mbi të përsëri duke ja mbyllur gojën me njërën dorë.

Tutje siç thuhet në aktakuzën e Prokurorisë me dorën tjetër ja shqyen rrobat që kishte veshur, e dëmtuara reziston gjatë gjithë kohës dhe thërret për ndihmë, atëherë i pandehuri largohet nga vendi i ngjajres.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “tentim dhunimi”.

Seanca ndaj të pandehurit nuk u mbajt sot në Gjykatën e Mitrovicës, për shkak se ka munguar prokurori i rastit, Njazi Rexha.

Kurse gjykatësi Avni Mehmeti ka thënë se prokurori Rexha praprakisht e kishte njoftuar Gjykatën përmes një shkrese se nuk mund të prezanton në seancë për arsye se gjendet në pushim vjetor.

Ndërsa Gjykata nuk ka pasur informacion se kush është prokurori që e përfaqëson aktkauzën në seancë, sepse e njëjta ishte caktuar që në fillim. Por sot nga ana e administrates së Prokurorisë ishin njoftuar se aktakuza përfaqësohet nga prokurori Njazi Rexha.

Për këtë seanca e sotme është shtyrë, ndërsa me ftesë të rregullt do të ftohet prokurori.