Dosja e Prokurorisë: Gruaja në Suharekë vdiq pasi burri e rrahu duke ia goditur kokën për asfalti

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur akatakuzë ndaj një person i cili ka rrahur gruan e tij deri në vdekje.

Prokuroria ka dhënë detaje se si i pandehuri dyshohet se e kishte rrahur bashkëshorten e tij, e cila si pasojë e plagëve të marra kishte vdekur në QKUK.

Sipas aktakuzës, i akuzuari I.H, më 31 maj, gjatë kohës sa ishte me bashkëshorten e tij në veturë, janë fjalosur si pasojë e një mosmarrëveshje.

Sipas prokurorisë, në dalje të fshatit Samadrexhë, i dyshuari ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës, dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktima H.D, si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

“Si rrjedhojë e goditjeve, e ndjera H.D, ka pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë më 15 qershor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas prokurorit, i dyshuari I.H, gjendet nën masën e paraburgimit nga 1 qershori për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.