Dorëheqja e Ramush Haradinajt në mediat ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot dha dorëheqje, pas ftesës për t’u marrë në pyetje nga gjykata në Hagë, e cila hetoi krimet kundër serbëve gjatë dhe pas luftës së vitit 1998-99.

The Associated Press, shkruan se Ramush Haradinaj deklaroi se kishte rënë dakord të intervistohej në Dhomën e Posaçme të Kosovës dhe Prokurorinë Speciale javën e ardhshme dhe se nuk donte të paraqitej atje si kryeministër.

Ndërkohë që The New York Times, shtoi se Haradinaj, i cili kishte marrë postin e kryeministrit në shtator 2017, sot tha se “do të respektoj kërkesën ligjore, do të shkoj atje, do ta mbroj veten si një luftëtar i vendit tim”.

Reuters ka kontaktuar me zëdhënësin e Gjykatës Speciale për Kosovë, Christopher Bennet, i cili ka deklaruar se nuk mund të flasë për rastin në fjalë.

“Rregulli 30 thotë se unë e kam obligim të mbrojë privatësinë e çdo individi. Nuk mund të konfirmoj asgjë”.

BBC raporton se Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat për krime lufte në Hagë, së pari në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012.

Haradinaj kishte mohuar vazhdimisht akuzat dhe kishte dhënë dorëheqje si kryeministër pas vetëm 100 ditësh, në vitin 2005 për t’u përballur me akuzat, ndërkohë që në gjykimin e fundit në vitin 2012, ishte liruar sepse nuk kishte prova për të mbështetur pretendimet.

Deutsche Welle ka shkruar se ky është udhëtimi i tretë i Ramush Haradinajt për në Hagë.

Ai gjithashtu njoftoi se taksa e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës në nëntor të 2018-ës do të mbetet, shkruan European Western Balkans.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

 

 

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/haradinaj-per-ftesen-e-speciales-do-tu-pergjigjem-shpifesve/

https://kallxo.com/opsionet-kushtetuese-te-hashim-thacit-pas-renies-se-qeverise/

.