Donika Kadaj: Mbi 1000 punësime kanë qenë në Telekom në vitin 2008 kur LDK-ja ishte në pushtet

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi në seancën për Telekomin, ka thënë që kjo është hera e parë që një kryeministër përgjigjet për rezolutat e Kuvendit.

“Ky kuvend i ka nxjerrë dikund 150 rezoluta ose edhe më shumë, dhe në të kaluarën sa herë që kemi kërku llogari kanë thanë që nuk janë obligative për qeverinë, dhe asnjëherë asnjë kryeministër nuk ka ardh me u përgjigj, kjo është hera e parë që ky kryeministër ka ardh me u përgjigj”, tha ajo.

Tutje Kadaj-Bujupi duke iu përgjigjur akuzave të LDK-së, tha që gjendja në Telekom është rënduar pikërishtë në qeverisjen Mustafa.

“Nëse i kthehemi kërkesave që vinë nga LDK-ja, gjendja jostabile e telekomit ka filluar në vitin 2015 kur kryeministër ka qenë Isa Mustafa, sipas ekspertëve shkaktarë për këtë janë marrëveshjet paraprake që vazhdojnë edhe sot, por të cilat për shkak të ligjit nuk mund të ndërpriten me pullë. U tha nga kryeministri Hradinaj që asnjëherë nuk është kërkuar divident, ,në vitin 2015 kur Telekomi ka vepruar me humbje, vendimi i ish-ministrit Hoti ka qenë që të mirret dividenta dhe është marrë”, tha ajo.

Tutje deputetja e AAK-së përmendi edhe punësimet në Telekom, për të cilat tha që më së shumti punësime ka pasur në kohën e qeverisë Mustafa.

“Po bre 4 ose 5 anëtarë të familjeve tona janë punësuar, le të fillon prokuroria hetimet nëse na kemi pas naj ndikim, mirëpo të dhënat flasin që mbi 1000 punësime kanë qenë në vitin 2008 kur LDK-ja ishte në pushtet. Nëse telekomi shpëton me largimin e dy tre anëtarëve ne do ti largojmë, duke filluar nga komplet familja e Fatmir Sejdiut, vllaznit e motrat e kunet e kejt ren ren, edhe na kem emra e mbiemra për të gjitha grupet parlamentare”, tha ajo.