Donacionet që po shpëtojnë jetë në spitalet e Kosovës (VIDEO)

Mundësia e infeksionit gjatë marrjes së mostrave të gjakut për të parë nivelin e bilirubinës te fëmijët e shtruar në Klinikën e Neonatologjisë pritet të zbresë dukshëm falë donacionit që kjo klinikë ka marrë nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” në bashkëpunim me një nga bankat në Kosovë.

Drejtori i Klinikës, Xhevdet Gojnovci, tha për KALLXO.com se kjo Klinikë ka pranuar një pajisje moderne që detekton bilirubinën në gjak te foshnjet e posalindura.

“Kjo aparaturë do të na shërbejë për detektimin më të hershëm të rritjes së bilirubinës te foshnjet e posalindura dhe kjo është bilirubinometria transkutane e cila do të na shërbejë që të kemi sa më pak metoda invazive te këto foshnje. Do të bëjmë një preventivë dhe të mos marim analiza përmes gjakut kështu do të zvogëlohen infeksionet pasi që dihet se nga marja e mostrave të gjakut mundësia të rrezikohen nga infeksionet është më e madhe”, tha Gojnovci.

Sipas Gojnovcit, Klinika ka pasur pajisje me funksion të tillë por ajo është e vjetëruar dhe vazhdimisht ka qenë jofunksionale. Në mungesë të saj, stafi është detyruar të marrë mostra gjaku përmes gjilpërës.

Erisa Jakupi nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” tha se pajisja është dhënë në bashkëpunim me bankën Raiffeisen. Ajo tha se brenda vitit disa herë i dërgohen donacione Klinikës së Neonatologjisë qoftë në barna apo pajisje.

Foto: Kallxo.com

“Me datën 1 qershor kur e kemi shënuar Ditën Ndërkombërtare të Fëmijëve bashkë me Raiffeisen bankën e kemi dorëzuar ehosonografin e cila diagnostikon sëmundjet e zemrës te foshnjet”, tha Jakupi.

Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, QKUK. Foto: Kallxo.com

Nga ana tjetër drejtori Gojnovci tha se përveç aparatit për matjen e bilirubinës, Klinika ka marrë donacion edhe një telefon i cili do të shërbejë për komunikim të vazhdueshëm derisa një fëmijë është duke ardhur nga spitalet rajonale në Klinikën e Neonatologjisë.

“Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” i ka dhënë Klinikës së Neonatologjisë fotollampa, aparatin e CRP, monitorët kardiopulmonarë e donacione tjera. Donacione janë dhënë edhe për Klinikën e Gjinekologjisë e të Pediatrisë dhe në disa qendra tjera shëndetësore.

Erisa Jakupi, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Foto: Kallxo.com

KALLXO.com kishte raportuar në vitin 2015  se trajtimi i suksesshëm i fëmijëve të lindur para kohës po bëhet falë donacionit të barit surfaktant që ndihmon në zhvillimin e mushkërive të fëmijëve, donacion ky i dhënë nga AMC.

https://kallxo.com/njerezit-dhe-trajtimi-qe-po-shpetojne-jete-foshnjash/

Në vitin 2000, vdekshmëria e foshnjave në Njësinë e Neonatologjisë, ka qenë 31 promilë, që do të thotë se 31 foshnje të porsalindura kanë vdekur, për çdo 1000 të porsalindur të lindur të gjallë, duke i llogaritur foshnjat prej 22 javë të moshës së shtatzënësisë, ose me peshë mbi 500 gr. Kjo shifër ka rënë dukshëm në vitet e fundit pasi që trajtimi i këtyre fëmijëve ka rezultuar të jetë shumë më i suksesshëm pas aplikimit të barit surfaktant.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com