Shfaqja në Sarajevë e dokumentarit të BIRN-it

Dokumentari i BIRN-it në Universitetin e Sarajevës

Filmi dokumentar i BIRN-it “Të paidentifikuarit”, i cili heton sulmet në fshatrat e Kosovës në vitin 1999 dhe ata që janë përfshirë në operacionin e fshehjes së trupave të viktimave, u shfaq për studentët e komunikimit, sigurisë, gazetarisë dhe drejtësisë në Universitetin e Sarajevës të martën dhe të mërkurën.

“Ideja ime ishte të sigurohesha që kur njerëzit ta dëgjojnë dhe shikojnë këtë dokumentar, qoftë kjo në Beograd, Novisad apo Kragujevc, ata të mos mund të thonë se në Kosovë nuk ka ndodhur asnjë krim,” tha regjisorja e dokumentarit, Marija Ristiq, në një video-mesazh për studentët.

“Të Paidentifikuarit” është rezultat i një hetimi dyvjeçar dhe i kthen shikuesit pas në vitin 1999 në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq pranë Pejës në Kosovë, në pranverën e vitit 1999 kur forcat serbe vranë më shumë se 118 civilë shqiptarë.

Trupat e tyre u dogjën ose u zhvendosën dhe disa prej tyre u gjetën më vonë në varre masive në qendrën policore në Batajnicë pranë Beogradit në vitin 2001.

Njëmbëdhjetë ish-anëtarë të forcave serbe janë në gjyq në Beograd për kryerjen e këtyre krimeve.

Në shkurt të vitit 2014, nëntë prej tyre u dënuan me një total prej 106 vjetësh burg, por Gjykata e Apelit në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor” dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Midhat Izmirlija, një profesor në Fakultetin e Drejtësisë, tha pas shfaqjes se “Të Paidentifikuarit” ishte një shembull i shkëlqyer i gazetarisë së angazhuar në shoqëri.

“Kjo është një mënyrë e shkëlqyer që media të punojë me qëllimin e përcaktimit të së vërtetës për disa ngjarje të caktuara dhe të paraqesë të vërtetën për viktimat dhe publikun,” tha Izmirlija.

Lejla Turcilo, një profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Politike, tha se ishte shumë e rëndësishme që gazetarët e rinj të ekspozohen në punë të tilla hulumtuese gjatë studimeve të tyre.

“Studentët tanë nuk hasin histori të tilla gjatë kohës që studiojnë teori. Qëllimi ynë është t’u ofrojmë atyre eksperienca praktike, gjë e cila atyre u mungon gjatë arsimimit të tyre, por është e rëndësishme jo të përfshihen gjithmonë në gazetarinë e përditshme, por në gazetari investigative, e cila është e pakët,” shtoi ajo.

Ajo tha se projekte të tilla mund t’i motivojnë studentët duke “u treguar atyre se ekziston një mundësi për të bërë ndryshime në shoqëri”.

Pas shfaqjes së dokumentarit, studentët e Fakultetit të Drejtësisë patën një leksion dhe mbajtën një diskutim mbi sfidat ligjore të përfshira në monitorimin e gjyqeve të krimeve të luftës, ndërsa studentët në Fakultetin e Shkencave Politike mbajtën një diskutim mbi gazetarinë dhe drejtësinë tranzicionale me redaktorin e BIRN-it të Bosnjë dhe Hercegovinës Deniz Dzidiç.