(DOKUMENT) KSHC iu përgjigjet rektorëve: Nuk i plotësuat kriteret

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) ka reaguar ndaj kërkesës që gjashtë rektorë të universiteteve publike kishin dërguar ndaj Ministrit të Arsimit për shkarkimin e këtij këshilli.

Ajo kërkesë erdhi pas vendimeve të këtij këshilli për tërheqjen e akreditimit për disa programe të këtyre universiteteve.

Në letrën e KSHC-së që e ka siguruar KALLXO.com  thuhet se ky institucion ka respektuar vetëm ligjin dhe rregulloret që e rregullojnë punën e këshillit.

“Së pari, dëshirojmë të rikujojmë se KSHC është organ i pavarur; për herë të parë i mandatuar nga Parlamenti i Kosovës, në Prill të vitit 2018. Legjitimiteti i KSHC buron nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe mund të merret nga Kuvendi. KSHC përkushtohet për sigurim të cilësisë dhe përafrim të cilësisë së arsimit të lartë të Kosovës me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. KSHC merr vendime transparente, profesionale dhe përgjegjëse në mbrojtje të interesit publik dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë për studentët tanë”, thuhet në njoftim.

Ata kanë shpjeguar në detaje arsyeshmërinë e vendimeve që kishin marrë në mbledhjet e 15 dhe 16 janarit duke ofruar edhe shembuj të mos përmbushjes së këtyre kritereve nga programet e universiteteve publike të cilave iu tërhoq akreditimi.

Ata ritheksuan se qëllimi i KSHC-së nuk është mbyllja e programeve por sigurimi i cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë.

“KSHC nuk do të bëjë asnjë kompromis ndaj kërkesave minimale ligjore dhe standardeve të cilësisë në arsimin e lartë përkundër presioneve të ndryshme. KSHC është institucion përgjegjës dhe mbron interesin publik përmes ‘kujdestarisë’ së cilësisë në arsimin e lartë. Ftojmë hisedarët dhe të gjithë të interesuarit në bashkëbisedim për standardet në akreditim sot dhe vizionin për Kosovën si shoqëri e dijes, e jo sjelljen jashtë rregullave formale, kërcënimeve dhe kërkesave për mbajtje të status quo-së në funksion të strukturave të pushtetit. I ftojmë univerisitetet publike të shfytëzojnë rrugët juridike për ankimim dhe të largohen nga praktikat joformale dhe lajthitje të opinionit publik. Poashtu, ftojmë IAL të jenë institucione modele të dijes, udhëheqjes demokratike, transparencës dhe sundimit të ligjit”, përfundon letra e KSHC-së.

Dje, Rektorët e gjashtë universiteteve publike të Kosovës  mbajtën konferencën e përbashkët për të shqyrtuar njoftimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë rreth vendimeve të mbledhjes së datës 15 dhe 16 janar 2019, për tërheqjen e akreditimit dhe refuzimin e 42 programeve studimore.

Sipas njoftimit nga konferenca, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka treguar papërgjegjësi ndaj dispozitave ligjore në fuqi.

Më poshtë gjeni letrën e plotë të KSHC-së:

 

Deklaratë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) sheh me shqetësim reagimin e Konferencës së Rektorëve të gjashtë universiteteve publike në Kosovë ndaj vendimeve të KSHC, të mbledhjes së datës 15 dhe 16 Janar 2018. Jemi të detyruar t’i përgjigjemi Konferencës së Rektorëve dhe të informojmë opionin Kosovar mbi vendimet e marra.

Së pari, dëshirojmë të rikujojmë se KSHC është organ i pavarur; për herë të parë i mandatuar nga Parlamenti i Kosovës, në Prill të vitit 2018. Legjitimiteti i KSHC buron nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe mund të merret nga Kuvendi. KSHC përkushtohet për sigurim të cilësisë dhe përafrim të cilësisë së arsimit të lartë të Kosovës me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. KSHC merr vendime transparente, profesionale dhe përgjegjëse në mbrojtje të interesit publik dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë për studentët tanë.  

KSHC vepron dhe funksionon në bazë të kornizës ligjore, më specifikisht: Ligjit Nr. 04/L-037 Për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e  Kosovës: Nr. 15/2018, datë: 28.09.2018. KSHC merr vendime konform dispozitave ligjore në fuqi dhe në përputhshmëri me Standardet dhe Udhëzuesit për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Vlenë të ritheksojmë se aplikimi i këtyre standardeve është parakusht për anëtarësi të Agjencisë së Akredimit (AKA) të Republikës së Kosovës në European Association for Quality Assurance -ENQA dhe rikthim në European Quality Assurance Register – EQAR. ENQA ofron ekspertizë Evropiane në akreditimin e programeve në vendin tonë. EQAR njeh diplomat e marra në arsimin e lartë në Kosovë. Nëse Kosova nuk është anëtare, atëherë procesi i akreditimit vështirësohet dhe studentët do të ballafaqohen me vështirësi në regjistrim dhe/apo transferim në programe të studimit jashtë vendit. Për më shumë, mosnjohja e diplomave rezulton në përjashtim në punësim dhe mobilitet në zonën e arsimit të lartë në Evropë.

KSHC trajton programet e studimit sipas kritereve të parapara në Ligjin e Arsimit të Lartë dhe  Udhëzimin Administrativ për Akreditim dhe duke aplikuar kërkesa minimale për programet e studimit, të përcaktuara në Nenin 26 paragrafi,  5.3.4 që përkufizon si vijon:

“Për programet e studimit të cilat shpijnë deri tek marrja e një diplome shkencore Bachelor dhe Master, kërkesat për stafin akademik janë për çdo grup të studentëve (të përcaktuar sipas statuti të IAL) dhe për çdo 60 ECTS të programit duhet të ketë të paktën një (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD nga fusha e programit të studimit.”

 dhe Nenit 26 paragrafi  5.3.6 i cili përkufizon se:

Për programet e studimit të doktoratës që shpijnë deri tek marrja e një diplome shkencore Dr.Sc., kërkesat për stafin akademik janë që për çdo program të studimit institucioni duhet të ketë të paktën tre (3) me marrëdhënie të rregullt të punës me titull akademik Prof. Asoc. Dr. ose Prof. Dr. nga fusha e programit të studimit”.

Poashtu, Neni 30, saktëson procedurën e deklarimit të stafit akademik për angazhim, dhe obligon KSHC të veprojë konform me legjislacionin në fuqi. Më specifikisht, Paragrafi 3 i Nenit 30, i Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2018 kërkon që:

 “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit.”

    Është zhgënjyese dhe me keqardhje njoftojmë opinion publik në Kosovë që disa institucione publike të arsimit të lartë nuk kanë arritë të plotësojnë minimumin e kërkesave për akreditim dhe ri/akreditim. Për më shumë, KSHC ka informuar zyrtarisht të gjitha institucionet e arsimit të lartë, më 11 Qershor 2018 (Ref. 613/18D) për kushtet e akreditimit dhe ri/akreditimit dhe deklarimin e stafit.

Ju ofrojmë disa shembuj se si disa institucione publike të arsimit të lartë kanë dështuar në sigurimin e stafit të kualifikuar sipas fushës së studimit për bartës të programeve.  

# 1  Universiteti “Haxhi Zeka”

Programi Menaxhimi i Burimeve Njerëzore, niveli MSc (120 ECTS), dy bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Ekonomi; 2) Filologji

# 2 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Programi Udhëheqja në Arsim, niveli MA (90 ECTS), dy bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Histori; 2) Psikologji

# 3 Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”

Programi Edukim Parashkollor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Kulturë Fizike dhe Sport; 2) Shkenca mjekësore, 3) Sociologji; 4) Fizikë

# 4 Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”

Programi Edukim Fillor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Filologjii; 2) Filologji; 3) Filologji; 4) Gjuhësi dhe Didaktikë

# 5 Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”

Programi Edukim Fillor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D në fushat: 1) Kimi; 2) Makineri; 3) Histori; 4) Punë Sociale  

 

# 6 Universiteti i Shkencave të Aplikuara- Ferizaj

Programi Menaxhment i Hotelierisë dhe Turizmit, niveli BSc (180 ECTS), tre bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Ekonomi; 2) Lëndë paraklinike/Mjekësi; 3) Filologji.

KSHC mbetet e përkushtuar për vendimmarrje me llogaridhënie, transparencë, dhe e hapur për dialog me hisedarët në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtar. Ju përkujtojmë se çdo mbledhje e KSHC monitorohet nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe media. Ne shohim vendimet e KSHC në funksion të ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë përgjatë sektorit publik dhe privat. Synojmë arsim të lartë cilësor dhe programe studimi të shumëllojshme në të gjitha qendrat e Kosovës sipas standardeve bashkëkohore të zonës Evropiane. Besojmë se vetëm përmes mekanizmave të cilësisë Kosova do të mund të marr pjesë në arenën ndërkombëtare. Nuk është synimi i KSCH mbyllja e programeve por sigurimi dhe avansimi i cilësisë. 

KSHC synon të vendosë Kosovën në rrjetet ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore. Prandaj, jemi të përkushtuar për  kthimin e AKA në EQAR dhe ngritjen e mobilitetit ndërkombëtar. Refuzimi i standardeve të cilësisë nga institucionet e caktuara jo vetëm që do të rëndon zhvillimin institucional të arsimit të lartë, por do të mbanë studentët kosovarë dhe Kosovën jashtë rrjedhave dhe trendeve globale të dijes dhe punës. KSHC përmes insistimit në cilësi synon të ndërtojë Kosovën Evropiane dhe të hap rrugë për zhvillim intelektual të studentëve dhe gjeneratave të ardhshme.

KSHC nuk do të bëjë asnjë kompromis ndaj kërkesave minimale ligjore dhe standardeve të cilësisë në arsimin e lartë përkundër presioneve të ndryshme. KSHC është institucion përgjegjës dhe mbron interesin publik përmes ‘kujdestarisë’ së cilësisë në arsimin e lartë. Ftojmë hisedarët dhe të gjithë të interesuarit në bashkëbisedim për standardet në akreditim sot dhe vizionin për Kosovën si shoqëri e dijes, e jo sjelljen jashtë rregullave formale, kërcënimeve dhe kërkesave për mbajtje të status quo-së në funksion të strukturave të pushtetit. I ftojmë univerisitetet publike të shfytëzojnë rrugët juridike për ankimim dhe të largohen nga praktikat joformale dhe lajthitje të opinionit publik. Poashtu, ftojmë IAL të jenë institucione modele të dijes, udhëheqjes demokratike, transparencës dhe sundimit të ligjit.