DOKUMENT: Kamioni që shkaktoi aksidentin në Gjilan kishte gjoba trafiku për mosregjistrim

V.T, pronari i Kompanisë së cilës i takonte kamioni që shkaktoi aksidentin masiv në Gjilan, është arrestuar mbrëmjen e kaluar.

Në dokumentin e prokurorisë, thuhet se kamioni i aksidentuar ka një listë të gjobave për mosregjistrim të kamionit.

Gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar masën e paraburgimit për të njëjtin.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për paraburgim ndaj të dyshuarit.

Në kërkesë thuhet se i dyshuari është arrestuar, nën dyshimet se i njëjti dy ditë më parë e ka lejuar të dalë në qarkullim kamionin i cili shkaktoi aksidentin në po të njëjtën ditë.

Në kërkesën e siguruar nga KALLXO.com thuhet se kamioni ka qenë pa regjistrim  dhe pa kontrollë teknike nga data 18 Gusht të vitit 2017, e të cilin e ka drejtuar shoferi i kësaj kompanie M. A ku i njejti   më datë 7 Mars 2019 rreth orës 14.05 min në Gjilan  ka  shkaktuar aksident trafiku  dhe si pasojë e kësaj një person ka vdekur, 26 persona janë lënduar dhe janë shkaktuar dëme material në dhjetë makina.

Gjithmonë sipas kërkesës për paraburgim, V. T është arrestuar nën dyshimet për mbikqyrje të pandërgjegjshme të trafikut publik.

Kërkesën për paraburgim, prokurorja e rastit e ka mbështetur në provat dhe dëshmitë të cilat janë raporti i shpejtë, deklarata  e të pandehurit, deklarata e shoferit M. A, kopja e një fature   e lëshuar nga servis privat në Pejë , lista e tiketave të shqiptuara për mungesë të regjistrimit të këtij kamioni  transportues ,   kopja e polisës së sigurimit ,dëshmi mbi të dhënat mbi skadencën  e regjistrimti të automjeti nga data baza e policisë.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me aksidentin i cili ndodhi dy ditë më parë në qendër të Gjilanit.

Qerim Çoçaj ka vdekur nga aksidenti, 23 persona kanë pësuar lëndime trupore, 3 të tjerë janë dërguar në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda ndërsa, dhjetë makina kanë qenë të përfshira në aksident.

I gjithë aksidenti ka ndodhur kur, nga hyrja e stacionit të autobusave në Gjilan, shoferi i kamionit M. A, ka humbur kontrollin mbi kamion.

Në kërkesën të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se M. A., gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14:05, në rrugën ,”Idriz Seferi” në Gjilan, duke u kyçur në rrugën kryesore me kamionin në të cilin ishte duke vozitur, e humbë kontrollin mbi drejtimin e automjetit ndërsa dyshohet se i ka dështuar sistemi i frenimit.

Gjithmonë sipas kërkesës së Prokurorisë për masën e caktimit të paraburgimit, të dyshuarit i rritet shpejtësia pas dyshimit të dështimit të sistemit të frenimit dhe fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet në anën e majtë një “Audi” e cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, e pastaj vazhdon rrugën dhe me të arritur afër daljes së Stacionit të Autobusëve e godet mbrapa automjetin “Reno Espaso”, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, automjet të cilin e shtynë deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, në anën e djathtë në raport me drejtimin e lëvizjes afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet dy këmbësorë, njëri nga ta ishte edhe Qerim Çoçaj, i cili më pas ka vdekur nga lëndimet e marra.

Tutje në kërkesën për paraburgim theksohet se pasi i dyshuari kishte goditur dy këmbësorët, në po të njëjtin drejtim dhe e të njëjtën shpejtësi, godet dy taksi, e pastaj me të arritur te udhëkryqi me rrugën e Prishtinës e godet mbrapa një automjet “Mercedes”, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, pastaj kamioni kalon në anën e majtë të rrugës, duke dalë edhe në trotuar dhe me pjesën e përparme e godet pemën dhe kthehet përsëri në rrugë dhe e godet një automjet “Golf” dhe me të arritur te rreth-rrotullimi i godet dy automjete një “Golf” dhe një “Audi A3”, të cilët ishin duke lëvizur nga ana e kundërt.

Kamioni nuk kishte arritur të ndalonte edhe pse ishte goditur me shumë vetura.

Drejtuesi i kamionit pastaj vazhdon duke e goditur mbrapa automjetin “Land Rover” dhe automjetin “Passat”, të cilët ishin duke lëvizur në të njëjtin drejtim, si dhe traktorin “Rakovica” me rimorkio, i cili ishte duke u kyçur në rreth-rrotullim nga rruga “Mulla Idrizi”.

Të gjitha këto vetura të përmendura me lart nuk kanë arritur që ta ndalin shpejtësinë e kamionit me të cilin i dyshuari po bartte ujë.

Kamioni përfundon në trotuar përballë Hotel “Kristal”, duke e goditur një këmbësor tjetër.

Në të gjithë aksident sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person ka vdekur, tre persona të tjerë janë lënduar rëndë, ndërsa 23 persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria në kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit ndaj drejtuesit të kamionit ka thënë se viktima Qerim Çoçaj kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Prokuroria ka theksuar se i dyshuari M. A. dyshohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.