Dokument: INTERPOL shqyrton kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Në fund të janarit të këtij viti, kryeministri Ramush Haradinaj së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa i kanë dërguar një letër Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale.

Letra e kryeministrit Haradinaj dhe e ministrit Mustafa kishte të bënte me kërkesën e radhës së anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Të dy kërkuan nga INTERPOL që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë.

KALLXO.com ka siguruar një përgjigje të INTERPOL-it në kërkesën e Haradinajt e Mustafës e cila ka mbërritur në zyrat e këtyre të fundit, tri ditë më parë.

Më 1 shkurt të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it ka pranuar kërkesën e Kosovës ndërsa sipas letrës së siguruar nga KALLXO.com thuhet se kërkesa do të vazhdonte të shqyrtohet për plotësim.

Aplikimi i Kosovës sipas INTERPOL-it është bërë në bazë të Kushtetutës së Interpolit dhe rezolutës së saj interpretuese.

Në letrën e INTERPOL-it është edhe një listë e cila i është dërguar Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që këta të fundit të plotësonin dosjen e aplikimit në komitetin ekzekutiv të INTERPOL-it.

Në listën e plotësimeve, INTERPOL ka kërkuar që Kosova të tregoj elementet e veçanta që dëshiron t’i bashkëngjitet kësaj organizate si dhe të tregoj se në cilat organizata joqeveritare është e anëtarësuar.

Në dokumentin e INTERPOL-it të siguruar nga KALLXO.com përmendet edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Përveç kësaj, duke pasur parasysh Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999), kujtojmë Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/9 për Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Kosovës i cili thotë: Kompetencat dhe përgjegjësitë e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse nuk do të përfshijnë kompetenca dhe përgjegjësi të caktuara të rezervuara, të cilat do të mbeten ekskluzivisht në duart e PSSP-së. Këto kompetenca të rezervuara përfshijnë: Ushtrimi i autoritetit mbi institucionet e zbatimit të ligjit dhe shërbimi korrektues, të cilat përfshijnë dhe mbështeten nga stafi lokal; Marrëdhëniet e jashtme, duke përfshirë edhe me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, siç mund të jenë të nevojshme për zbatimin e mandatit të tij. Duke marrë parasysh pjesën e mësipërme, ju lutemi jepni çdo dokument që mund të hedh dritë mbi qëndrimin e PSSP-së për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL”, thuhet në përgjigjen e INTERPOL drejtuar MPB-së në Kosovë.

INTERPOL gjithashtu ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të sigurohen se “Policia e Kosovës” është kompetente të kryej funksionet e parapara për anëtarësim në INTERPOL.

“Në kërkesën tuaj të datës 31 janar 2019, i referoheni Policisë së Kosovës si organ të cilit keni për qëllim t’i delegoni detyrën për të qenë përfaqësues i Kosovës në INTERPOL në përputhje me paragrafin e parë të nenit 4 të Kushtetutës së INTERPOL-it. Duke u bazuar në Aneksin 1 të Rezolutës GA-2017-86-RES-01, nën titullin “Organi Zyrtar i Policisë”, ju lutem konfirmoni se funksionet e Policisë së Kosovës vijnë në kuadër të aktiviteteve të INTERPOL-it dhe se Policia e Kosovës është kompetente për të kryer këto funksione”, thuhet tutje në dokument.

Sipas INTERPOL-it, Policia e Kosovës duhet të kryej këto funksione:

– Përmbush standardet e larta të Kushtetutës së INTERPOL-it dhe tregon se është në gjendje të përmbushë mandatet e saj

– Është një trup që është themeluar dhe rregulluar sipas ligjeve që ekzistojnë në Kosovë

– E ka kompetencën e nevojshme, juridiksionin, autoritetin dhe burimet për të ndihmuar në mënyrë efektive Kosovën

– Do të jetë në gjendje të angazhohet në bashkëpunimin me përfaqësuesit e anëtarëve të tjerë të INTERPOL-it dhe të jetë kompetente për të shpërndarë informacionin përkatës

– Do të jetë në gjendje të japë bashkëpunim efektiv ditor në komunitetin e INTERPOL-it

– A është kompetenca e autoritetit kombëtar të policisë që të angazhohet efektivisht në parandalimin, shtypjen e një hetimi të krimeve, të marrë masa shtrënguese në lidhje me aktivitete të tilla dhe të angazhohet në çështje të tjera në lidhje me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike – me fjalë të tjera, që përputhen me nevojat e INTERPOL-it.

Gjithashtu në dokument thuhet se: “Në rast se Kosova bëhet anëtare e INTERPOL-it, do të kërkohet të emërojë një organ që do të shërbejë në kuadër të Byrosë Qendrore Kombëtare”.

Të gjitha ato të cilat janë përfshirë në listën e INTERPOL-it, Kosova duhet  t`i paraqes në komisionin ekzekutiv të kësaj organizate deri më 30 prill të këtij viti.

DOKUMENTI I INTERPOL-it:

Letter-to-Ministry-of-Internal-Affairs-Kosovo