Drejtues të "DokuFest"-it njoftojnë për përgatitjet për festivalin - Foto - KALLXO.com

'DokuFest' Fillon Pa Fondet e Premtuara

Pa mbështetjen e asnjë ministrie, pa fondet e premtuara nga MKRS dhe pa mbështetjen e Komunës në të cilën mbahet të premten do të nisë festivali “Dokufest”.

Ky është edicioni i 15-të e festivalit të filmit dokumentar dhe filmit të shkurtër.

Tema qendrore e festivalit që mbahet në Prizren do të jetë korrupsioni.

Drejtoresha e këtij festivali, Nita Deda, tha se “të gjithë krenohen me ‘Dokufest’, por kur vjen puna te mbështetja reale, ajo nuk ekziston”.

Në konferencën për shtyp, dëshpërimin karshi institucioneve e shprehu edhe drejtori ekzekutiv, Eroll Bilibani.

“Fatkeqësisht, këtë vit nuk kemi marrë asnjë përkrahje nga ministritë përkatëse, duke u arsyetuar me procedura burokratike, përderisa Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës ende nuk i kanë transferuar fondet, duke e devalvuar vlerën monetare te fondeve dedikuar Festivalit”, tha ai.

Bilibani theksoi po ashtu se Komuna e Prizrenit ka dështuar të sigurojë hapësirë punuese për zyrat e medias dhe mikpritjes, me arsyetimin se “nuk janë aprovuar nga kryetari i Komunës”.

MKRS është zotuar për 30 mijë euro, e Komuna e Prizrenit për 15 mijë.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga Ymer Berisha, shef i Zyrës për Komunikim dhe Informim, por ai ka qenë i paqasshëm gjatë ditës.

E njëjta ka ndodhur edhe me shefin e kabinetit në MKRS, Ndue Ukaj.

Vitin e kaluar festivalin e kishin mbështetur Ministria e Diasporës, ajo e Punëve të Jashtme dhe Ministria për Integrime Evropiane, por që të tria mbështetjen nuk do ta vazhdojnë këtë vit.

Gjithsesi, “Dokufest” do të vazhdojë rrugëtimin e tij, por këtë vit me masa të shtuara të sigurisë.

Në plot 9 ditë, ky edicion jubilar do të shfaqë 238 filma, nga 5,000 sa kishin aplikuar.

Veton Nurkollari, drejtori artistik i “DokuFest”-it, tha se veç përzgjedhjes së madhe të filmave dokumentarë të cilët janë në kategoritë garuese, këtë vit do të jenë edhe dy kategori kushtuar filmbërësve të cilët kanë ndërruar jetë.

“Dy filmat më të njohur të regjisorit iranian Abbas Kiarostami, “Taste of Cherry” dhe “Close-Up”, do të shfaqen në kategorinë kushtuar këtij artisti. Ndërsa regjisoren Chantal Akerman do ta nderojmë me premierën botërore të një interviste të dhënë në Prishtinë, një vit para vdekjes së saj, e cila do të shfaqët në kategori me dy filmat e saj të njohur”, tha ai.

Përzgjedhësi i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda, foli për filmat kombëtarë të cilët do të kenë premierën në këtë edicion të festivalit.

“Për neve është me rëndësi që filmat kombëtarë të kenë premierën në festivalin tonë dhe për këtë arsye do të ketë 10 premiera të filmave kombëtarë gjatë këtij edicioni të festivalit”, tha Karahoda.

Ndërsa Eroll Bilibani tha se këtë vit në 5 ditë do të organizohen 5 panele për të debatuar mbi temën qendrore të festivalit, korrupsionin, në atë se si media dhe teknologjia mund të ndikojnë në luftimin e kësaj dukurie.

Ndërsa u fol edhe për masat e shtuara të sigurisë.

Bilibani tha se deri tash kanë pasur takimet javore me policinë rajonale, por nga sot do të kenë takime të rregullta ditore për koordinimin e aktiviteteve.

“Do të kemi numër më të madh të policëve civilë e të uniformuar që do të jenë prezentë në të gjitha hapësirat ku do të mbahet festivali”, tha ai.

Këtë vit në Kalanë e Prizrenit festivali do të nisë me artistin sirian, Omar Souleyman dhe do të mbyllet me artisten libaneze, Yasmine Hamdan.

Dokufest do të mbahet në Prizren nga 5 deri më 13 gusht 2016.