Gjykimi i Ramadan Sopajt, mjekut të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Malishevë- FOTO KALLXO

Doktori i dyshuar për përshkrimin e barnave që i shisnin djemtë e tij kundërshton aktakuzën

Në gjykimin e Ramadan Sopajt, mjekut të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Malishevë, sot para gjykatës u prezentuan kundërshtimet e aktakuzës, lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe konflikt interesi.

Avokati i të akuzuarit Rrahmon Kastrati, kundërshtimin e tij për hudhjen e aktakuzës së Prokurorisë e arsyetoj me faktin se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ka pasur përfitim e as shkaktim të ndonjë dëmi.

“Aktakuza nuk ka prova që përbëjnë elementet e veprës penale, sepse asnjë pacient i doktorit Sopaj nuk është ankuar nga terapia e dhënë dhe se përshkrimi i ilaçeve nuk është vepër penale”, tha Kastrati.

Avokati Kastrati shtoi para gjykatës se në këtë rast nuk ka përfitim të kundërligjshëm e as persona të dëmtuar.

Sopaj akuzohet se në cilësinë e mjekur familjar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Shpëtim Robaj” në Malishevë, kishte përshkruar terapinë e 2.957 pacientëve me medikamente të ndryshme, të cilat medikamente i furnizonte djali i tij Shpend Sopaj, i cili punonte në depon farmaceutike ‘EP-DEA’ në Prishtinë.

Aktakuza shpjegon se edhe djali tjetër i tij Qëndrim Sopaj, i cili punon në depon farmaceutike ‘Radinchpharm’ në Prishtinë, poashtu ka furnizuar barnatore në Malishevë me medikamentet Eselan, Neo Endosix, Nipogalin, etj..

Në seancën e kaluar Ramadan Sopaj, ishte deklaruar i pafajshëm në akuzat me të cilat ngarkohet.

https://kallxo.com/del-ne-gjyq-mjeku-i-dyshuar-se-shkruante-barna-per-hesap-te-barnatores-ku-i-punonte-djali/

Ndërsa prokurori  Agron Matjani, kërkoj nga gjykata që kundërshtimet e mbrojtjes t’i konsiderojë si të pabazuara, me arsyetimin se aktakuza është mbështetur në prova të mjaftueshme.

“Sopaj si mjek familjar ka lëshuar terapi të njëjtë që i kanë shpërndarë fëmijët e tij që kanë punuar në firma farmaceutike në Prishtinë, pra kjo i ka mundësuar që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga shitja e tyre”, deklaroj prokurori Matjani.

Sipas aktakuzës ndërmjet gushtit të viti 2017 dhe prillit të vitit 2018, mjeku Sopaj dyshohet se ka shfrytëzuar autoriteti e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete ose për fëmijët e tij.

Poashtu dyshimi i Prokurorisë ekziston në atë se tabletat ose medikamentet e dhëna nuk i kishte përshtatur me përshkrimin e terapisë për pacientët, veprime këto që pretendohet se janë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi të sektorit farmaceutik.

Ndërsa gjyqtari Nikollë Komani, bëri të ditur se lidhur me propozimet e palëve do të vendos me vendim të veqantë.