Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Dogana e Kosovës shënoi rritje të të hyrave prej 21.5 milionë euro në 3 mujorin e parë 2019-të

Dogana e Kosovës ka realizuar rritje të të hyrave prej 21.5 milionë eurove në muajt e parë të vitit 2019-të.

Sipas një komunikate dërguar mediave bëhet e ditur se Dogana ka realizuar rritje në 3 mujorin e parë të këtij viti duke e krahasuar me rritjen e tremujorit të parë të vitit 2018-të.

“Gjatë periudhës raportuese të hyrat e përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës në total arritën vlerën prej rreth 229.9 mil€, gjë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018 paraqet një rritje prej 10.3 % apo rreth 21.5 mil€ më shumë”, thuhet në komunikatë.

Tutje në këtë komunikatë thuhet se ndikim në të hyra ka pasur MSA dhe lirimet nga taksat në import për prodhuesit kosovar për lënden e parë dhe të  gjitha inputet që përdoren në procesin e prodhimit.

“Sa i përket MSA duhet theksuar se ndikimi në të hyra nga MSA përgjatë kësaj periudhe është rreth 12.9 mil€ apo rreth 46.6% me shume së periudha e njëjtë vitit paraprak, ndërsa ndikimi në të hyra nga pako fiskale që i referohen prodhuesve përgjatë periudhës raportuese është rreth 17.2 mil€, që paraqet një rritje prej rreth 59 % krahasuar me periudhën e njëjtë te vitin e kaluar”, thuhet tutje aty.

Poashtu në këtë tremujor sipas Doganës së Kosovës ka pasur rritje edhe në import, ku të hyrat kanë shënuar rritje prej 6.47%.

“Shikuar për nga struktura e të hyrave kufitare, kontributin më të madh pozitiv në rritjen e të hyrave nga importi e kanë dhënë të hyrat e arkëtuara nga TVSH – të cilat kanë shënuar rritje prej rreth 6.47% apo rreth 7.2 mil€ më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Në anën tjetër, të hyrat nga taksa doganore kanë shënuar rritje prej rreth 8% apo shprehur në vlerë nominale rreth 2 mil€ më shumë”, thuhet në tutje.

Përveç taksës doganore, rritje për 9 milionë euro ka pasur edhe taksa e akcizës, duke i kontribuar edhe më shumë një tremujori të suksesshëm për Doganën e Kosovës.

“Ngjashëm me taksën doganore, edhe të hyrat nga taksa e akcizës kanë shënuar rritje prej 11.6%, apo shprehur në vlerë nominale rreth 9 milionë € më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Të hyrat nga TVSH në kufi gjatë kësaj periudhe marrim pjesë me rreth 51%, pasuar nga të hyrat e arkëtuara prej akcizës me rreth 37.5% dhe të hyrat nga taksa doganore me rreth 11.5%”, theksohet aty.

Sipas komunikatës së dërguar nga Dogana e Kosovës, eksporti periudhës raportuese ka shënuar ngritje ne sasi prej rreth 6.6%, përderisa edhe vlera e eksportit ka shënuar ngritje me rreth 12.46%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të  kaluar.