MIllorad Dodik

Dodik: Nuk do të Jem i Sigurt në Sarajevë

Millorad Dodik, Presidenti i Republikës Serbe, tha se siguria e tij është vënë në rrezik nga një lider politik boshnjak, i cili e krahasoi atë me liderin e vrarë libian Muammar Gaddafi.

Dodik tha të martën se nuk ndihet mjaftueshëm i sigurt për të shkuar në Sarajevë që t’i përgjigjet thirrjeve për të marrë pjesë në një seancë dëgjimore të prokurorisë pasi Republika Serbe mbajti një referendum tepër të diskutuar me të cilin kundërshtoi një ndalim të vendosur nga Gjykata Kushtetuese shtetërore.

“E thashë edhe më parë që do t’i përgjigjem çdo thirrjeje nga gjykata dhe zyra e prokurorit, por jo në Sarajevë,” tha ai në një konferencë për shtyp në Banjallukë të transmetuar drejtpërdrejt nga RTRS TV.

“Mund të shkoj kudo tjetër dhe të jap deklaratën time, por jo në Sarajevë,” shtoi ai.

Dodik tha se kryetari boshnjak i Presidencës Trepalëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, e kishte krahasuar atë me liderin e vrarë libian Muammar Gaddafi.

Kjo ishte një ftesë për grupet ekstremiste që ta sulmojnë atë, u shpreh Dodik.

“Nëse prokuroria shtetërore dëshiron të më arrestojë, ky është problemi i tyre, por s’do të vë në rrezik sigurinë time duke shkuar në Sarajevë,” këmbënguli ai.

Lideri serb i Bosnjës, i cili përkrahu referendumin e ndaluar që u zhvillua të dielën, u thirr të hënën nga prokuroria shtetërore për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi sfidimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar mbajtjen e referendumit.

Ai u përgjigj më vonë të njëjtën ditë duke thënë se nuk i druhet arrestimit.

Dodik tha në konferencën për shtyp të së martës se ai u kishte kërkuar deputetëve të partisë së tij- Aleancës së Social-Demokratëve, SNSD, të paraqesin një mocion ku t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të marrë në konsideratë nëse 1 marsi, festa publike në entitetin e Federatës në Bosnjë, ishte antikushtetuese.

Gjykata Kushtetuese vendosi vitin e kaluar se festimi i Ditës së Republikës Serbe më 9 janar ishte diskriminues ndaj jo-serbëve në entitet, sepse ajo ishte gjithashtu një festë fetare ortodokse serbe.

Nëntë janari ishte dita në vitin 1992 kur serbët e Bosnjës deklaruan krijimin e Republikës Serbe, gjë të cilën boshnjakët e vendit e shohin si shkakun e shpërthimit të luftës menjëherë pas kësaj.

Dodik tha se donte që Gjykata Kushtetuese të marrë në konsideratë nëse festa e 1 marsit në Federatë ishte antikushtetuese “duke përdorur të njëjtin kriter dhe argument që përdorën gjatë vlerësimit të Ditës Kombëtare të Republikës Serbe”.

Arsyeja, tha ai, ishte se 1 marsi shënon ditën në vitin 1992 që boshnjakët votuan për pavarësi nga Jugosllavia – një referendum i bojkotuar nga serbët e vendit.

Sipas Dodikut, kjo gjë shkaktoi luftën dhe festimi i asaj date është diskriminues ndaj serbëve që jetojnë në federatë.

Dodik tha se mocioni do të dërgohet të enjten.

Ai shtoi se planifikon të përgatisë një mocion të dytë për gjykatën në nivel shtetëror që ajo të vlerësojë kushtetutshmërinë e të gjitha ligjeve dhe vendimeve të miratuara nga parlamenti i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës që prej zgjedhjeve të vitit 2014.

Arsyeja, tha ai, ishte fakti se në Parlamentin e Federatës ka më pak serbë sesa nga dy grupet e tjera kryesore etnike të Bosnjës, kroatë dhe boshnjakë.

Diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar se referendumi i ndaluar cenon Marrëveshjen e Dejtonit që i dha fund luftës së vitit 1992-1995 dhe analistët druhen se ai ka çuar në një rritje të retorikës përçarëse nacionaliste.