Emir Kusturica

Dodik e do Emir Kusturicën këshilltar

Pasi fitoi ulësen e anëtarit serb në presidencën shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik njoftoi se dëshiron të emërojë si këshilltar regjisorin e njohur të filmit serb, Emir Kusturica.

Kreu i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, fituesi i ulëses së anëtarit serb në presidencën trepalëshe të Bosnjës, i tha të përditshmes së Beogradit ‘Vecernje Novosti’ të martën se emërimi i Emir Kusturicës si këshilltar do të jetë një nga lëvizjet e tij të para.

Në të njëjtën gazetë, Kusturica, një regjisor i njohur serb për marrëdhëniet e tij të ngushta me Dodik, e përshkroi politikanin serb të Bosnjës si një figurë shumë të aftë që ka arritur shumë.

“Ai [Dodik] arriti të transformojë Banja Llukën nga një fshat në një qytet të mirë ku mund të gjenden të gjitha shenjat europiane të një qyteti”, tha Kusturica.

Ndërkohë, Dodik përsëriti se ai nuk do të punojë nga ndërtesa e presidencës boshnjake në Sarajevë por në një ndërtesë tjetër në komunën serbe të Sarajevës Lindore. Në vitet e fundit, kreu serb i Bosnjës ka ngritur në mënyrë të përsëritur mundësinë që Republika Srpska të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina.

Miku i ngushtë i Rusisë, Dodik, gjithashtu këmbënguli që Bosnja nuk do të bashkohet me NATO-n dhe se e vetmja mënyrë në të cilën vendi do të punojë me aleancën ushtarake perëndimore është përmes programit Partneriteti për Paqe, i cili përfshin bashkëpunim praktik dypalësh me vendet partnere.