Konferenca e "Demokracisë në Veprim" | Foto: KALLXO.com

DnV: Shqetësues Përdorimi i Fëmijëve në Fushatë

Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile “Demokracia në Veprim” po vazhdon të monitorojë fushatën zgjedhore ku gjetjet më shqetësuese janë pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitete të partive politike dhe shfrytëzimi i resurseve shtetërore.

Albert Krasniqi nga “Demokracia në Veprim”, ka thënë se mbi 2 mijë fëmijë kanë marrë pjesë në aktivitetet e deritanishme që i kanë ndjekur.

“Përfshirja e fëmijëve është vërejtur edhe në këto zgjedhje me ç’rast janë vërejtur 2100 fëmijë të cilët kanë marrë pjesë në tubime të partive politike”, tha ai.

Ndërsa për shfrytëzim të resurseve shtetërore prin sipas tij koalicioni PDK  – AAK – Nisma, ndërsa pas tyre vjen koalicioni LDK – AKR.

Krasniqi, theksoi se deri më tani DnV-ja, ka raportuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth 50 shkelje dhe janë shqiptuar 16 mijë euro gjoba pas këtyre raportimeve.

Dushan Radakoviq nga DnV-ja, tha se është hera e dytë që i monitoron zgjedhjet si pjesë e Demokracisë në Veprim.

Sipas tij që nga fillimi i fushatës i kanë filluar aktivitetet e monitorimit në komunat veriore.

“Në Kosovë ende nuk ka gatishmëri për fushatë të drejtë dhe korrekte”, tha Radakoviq në konferencën e “DnV”-së.

Ai konsideroi monitorimi që po ndodh mjafton për të siguruar një proces zgjedhor fer dhe transparent.

Ndërsa, Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol,  tha se si partner i DnV-së, po i monitorojnë mediat.

Në televizione sipas tij dominojnë spotet individuale krahasuar me ato të spoteve të partive politike.

Zogaj tha se në spote burrat dominojnë me përqindje të lartë.

“Aspekti gjinor është goxha dëshpërues, 87përqind janë burra dhe vetëm 13 për qind janë gra”, deklaroi Zogaj.

KALLXO.com shkroi edhe për konferencat tjera të “Demokracisë në Veprim”.

http://kallxo.com/partite-nuk-tregojne-si-shpenzojne-parate/