DnV: Disa qytetarë u lejuan të votojnë me dokumente serbe

Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka folur për procesin zgjedhor, ku sipas tyre deri në orën 12:00 shumica e qytetarëve të komunave veriore kanë votuar.

Eugen Cakolli nga DnV tha se në bazë të të dhënave nga terreni 21% e qytetarëve të këtyre komunave kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.

“Në këtë përqindje prin komuna e Leposaviqit me 24% të pjesëmarrjes. e pasuar nga komuna e Zveçanit me 21%, Mitrovica e Veriut me 20% dhe Zubin Potoku me pjesëmarrjen më të ulët me 18%”, tha Cakolli.

Sipas tij, parregullsitë më të shpeshta që janë hasur gjatë këtij procesi zgjedhor kanë qenë identifikimi i votuesve dhe votimi me dokumente të Serbisë.

“Si proces është lejuar në disa raste nga ana e komisionarëve. Votuesit që kanë qenë në listën e votuesve dhe kanë prezantuar dokumentin e identifikimit të Serbisë u është lejuar që të votojnë. Po ashtu edhe vështirësia për të gjetur emrin e tyre në listën e votuesve”, tha ai duke shtuar se ka pasur ankesa në lidhje me këtë çështje.

“Ka pasur ankesa në tri vendvotime 2 në Mitrovicë të Veriut dhe 1 në Leposaviq dhe ky problem është evidentuar”, shtoi Cakolli.

Përfaqësuesi i DnV theksoi se parregullsi tjetër në këto zgjedhje në Kosovë ka qenë edhe votimi familjar.

“Votimi familjar është evidentuar në 15 vendvotime në katër komunat ku po mbahet zgjedhjet. Kjo dukuri është shprehur më së shumti në komunën e Mitrovicës së Veriut në 7 vendvotime”, tha ai.

Sa i përket rasteve të votimeve jashtë kabinave DnV ka hasur në tri prej tyre në Leposaviq, kurse tentimet për të votuar më shumë se një herë është evidentuar vetëm një rast në Mitrovicën e Veriut në qendrën e votimit 3803B në shkollën “Aziz Sylejmani”, në Mitrovicën e Veriut në vendvotimin 01R.

DnV po ashtu bëri të ditur se në bazë të të dhënave në shumicën e rasteve flamuri serb është prezent por që sipas tyre nuk i ka penguar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve, shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.