Kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe Bujar Nevzati asamblist i PDK-së në Komunën e Gjilanit, Foto: Bujar Nevzati - Facebook

Dy djemtë e sekretarit të PDK-së punësohen në AKP e Qeveri

Dy djemtë e asamblistit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Bujar Nevzati, së fundmi janë punësuar në dy institucione publike të Kosovës.

Roland Nevzati është zgjedhur kandidat i suksesshëm nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, për pozitën Zyrtar për Operacione dhe Administrim të Aseteve, në Zyrën Rajonale të AKP-së në Gjilan.

Ndërkaq, Gentian Nevzati është punësuar në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në pozitën Bashkëpunëtor Profesional në Promovimin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në konkursin publik që ishte shpallur për Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.

I kontaktuar nga KALLXO.com, asamblisti i PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati fillimisht ka mohuar se dy djemtë e tij janë punësuar në institucionet e lartcekura.

Por më pas ka thënë se djali i tij Gentiani është punësuar për 3 muaj, përderisa ka shtuar se djali tjetër i tij Rolandi ende nuk është punësuar.

“Jo, nuk është e vërtetë. Për Gentianin 3 muaj e kanë marr, qysh e di unë në kontratë mbi vepër, këtë vit. Për Rolandin nuk është punësuar akoma”, tha shkurtimisht ai.

Kur është pyetur se a ka ushtruar ndikim lidhur me punësimet e djemve të tij, ai e  ka mbyllur telefonin.

KALLXO.com e ka kontaktuar sërish përmes telefonit Bujar Nevzatin, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Megjithatë, në njoftimet e publikuara nga AKP-ja dhe Ministria e Inovacionit për kandidatë të suksesshëm, figurojnë emrat e Gentian Nevzatit dhe Roland Nevzatit.

Roland Nevzati sipas njoftimit të AKP-së për kandidatin e suksesshëm kishte grumbulluar 88.55 pikë të fituara nga komisioni vlerësues. Ky njoftim i siguruar nga KALLXO.com tashmë nuk figuron në ueb-faqen e AKP-së.

Por, AKP-ja përmes një përgjigje me shkrim e ka konfirmuar punësimin e Roland Nevzati.

Sipas tij, ai është shpallur kandidatë i suksesshëm me datën 26 prill, ndërsa pritet të merr akt-emërimin bazuar në rregulloret dhe ligjin për AKP-në.

“Procedura e Rekrutimit me Nr. Ref. 09/2019 për pozitën Zyrtar për Operacione dhe Administrim të Aseteve – Zyra Rajonale në Gjilan ka përfunduar sipas afateve ligjore të parapara me  Rregulloren Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil. Kandidati i suksesshëm z. Roland Nevzati do të pajiset me AKT Emërimi sipas Nenit 41, Paragrafi 1 i Rregullores Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, të publikuar me 17 prill 2019, Gentian Nevzati kryesonte listën e tre kandidatëve të poentuar, me 85 pikë të fituara, për pozitë në këtë dikaster.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë udhëhiqet nga Besim Beqaj i PDK-së.

Sipas llogarisë së Gentian Nevzatit në rrjetin social Facebook, aktualisht ai mban pozitat: Anëtar i Kryesisë së PDK-së, kryetar i Departamentit për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Rininë Demokratike të Kosovës- PDK dhe zëdhënës i Rinisë në PDK – Dega Gjilan.

 

Profili në Facebook i Gentian Nevzati, Foto: KALLXO.com