Foto: Kallxo.com

Djegia e fshatit Dush, dëshmitari: Në shtëpinë e të akuzuarit është gjetur armatim dhe shtretër ushtarak 

Në rastin e njohur si ‘Djegia e Fshatit Dush të Klinës’, rast në të cilin për krime lufte po gjykohet Milorad Zaiq, dëshmoi dëshmitari Ibish Marmullaku dhe disa dëshmitarë të tjerë.  

Në pyetjet e prokurores Speciale, Habibe Salihu, dëshmitari Ibish Marmullaku, deklaroi se shtëpia e Milorad Zaiq, ka qenë kazermë e paramilitareve në kohë lufte. 

“Shtëpia e Milorad Zaiq, ka shërbyer si kazermë ushtarake nga paramilitaret serbë, aty janë hapur kanale ushtarake, ka pas thasë të mbushura me zalle, dhe nga aty është shtënë në drejtim të shtëpive tona”, deklaroi dëshmitari. 

Ndërsa në pyetjet e prokurores se a e ka parë të akuzuarin Milorad duke gjuajtur me armë nga shtëpia, dëshmitari deklaroi se nuk e ka parë një gjë të tillë. 

Ibish Marmullaku tregoi se çka ka parë në shtëpinë e të akuzuarit pas lufte. 

“Pasi jemi kthye në fshat, e kemi gjet komplet fshatin e rrënuar, të djegur komplet, kam shkuar drejtpërdrejtë në shtëpinë e Momqillo Voshtiq, dhe në shtëpinë e Milorad Zajiq, ku kam konstatuar që ka llovore të zallit, bunkerë, predha të minahedhësve, kemi gjetë prej minahedhësve deri tek gëzhojat e armatimit më të rëndë, si dhe mbi 20 shtretër dykatësh ushtarak”, tha dëshmitari. 

Milorad Zajiq akuzohet për pjesëmarrje aktive në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës, në qershor të vitit 1998.

Sipas aktakuzës ai u përfshi në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve. 

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se më 19 qershor 1998, Zajiqi e kishte nisur betejën kundër shqiptarëve. Sipas aktakuzës, ai ishte parë nga fqinjët derisa shkarkonte nga makina e tij ‘Zastava’ armë ndërsa në mbrëmje i vetëm kishte nisur të qëllonte në drejtim të shtëpive të shqiptarëve. 

Nga këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku. Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit, Xheme Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.

KALLXO.com, ka shkruar për aktakuzën e ngritur ndaj të dyshuarit për krime lufte. Zaiq ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza.