Foto: Facebook

Dje u rikthye, sot prapë pezullohet drejtori i AZhB-së, Elhami Hajdari

Dy vendime kundërthënëse janë marrë brenda 24 orëve nga ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo për ish-kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Vendimin e parë Rikalo e ka marrë më 6 nëntor, me të cilin e ka rikthyer në punë ish-kryeshefin e pezulluar, raporton www.kallxo.com.

Këtë vendim e ka mbështetur në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe vendime të gjykatës.

Ndërsa, sot, më 7 nëntor, Rikalo e ka nënshkruar vendimin tjetër me të cilin e pezullon edhe njëherë Hajdarin nga pozita e kryeshefit.

Në vendimin e dytë janë listuar disa arsye për shkarkim e që janë të ndryshme prej vendimit të parë për suspendim të muajt maj.

Elhami Hajdari ka thënë për Kallxo.com se ende nuk ka pranuar asnjë vendim për kthimin e tij në punë, por as për suspendimin e tij.

“As vendim për kthim në punë e as vendim tjetër për suspendim zyrtarisht nuk kam. Vendimin e fundit që e kam marr është ai i majit për suspendim”, tha Elhami Hajdari.

Vendimi i parë

Elhami Hajdari është rikthyer në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Nenad Rikalo ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e vendimit të tij paraprak për pezullim parandalues nga puna me pagesë të Elhami Hajdarit, kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në MBPZhR.

Ky vendim është marrë sipas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës të datës 10 korrik, aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të marrë më 17 shtator dhe sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, i datës 18 tetor.

Në vendimin e parë thuhet se Hajdarit do t’i paguhet 50% e pagës për muajt sa ka qenë i suspenduar, nga data 5 maj deri më datën 5 nëntor.

Hajdari ishte pezulluar nga puna në muajin maj të këtij viti nga ministri Nenad Rikalo.

Ministri Nenad Rikalo ka pezulluar nga puna kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari, për një rast i cili ishte mbyllur nga Prokuroria 8 muaj më parë.

Ministri Rikalo ka marrë vendim për pezullim nga puna të kryeshefit të AZhB-së me pretendimin se i njëjti dyshohet për kryerje të veprës penale. Por Prokuroria e Shtetit thotë se hetimet janë mbyllur në shtator të vitit të kaluar për veprën të cilën e përmend ministri.

Në vendimin për pezullim nga puna të kryeshefit ekzekutiv të AZhB-së, Elhami Hajdari, të cilin e ka marrë tri ditë më parë ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, thuhet se pezullimi është bërë për shkak, që siç shkruan në vendim “dyshimit lidhur me rastin me numër PP.467/16 të datës 23.08.2016 në drejtim të dy veprave penale: kanosje dhe keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së”.

Vendimi i dytë 

Një ditë pasi ishte marrë vendimi për kthimin e Elhami Hajdarit në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ministri Nenad Rikalo ka nënshkruar një vendim tjetër për pezullimin e Hajdarit nga kjo pozitë me 7 nëntor.

Elhami Hajdari, sipas vendimit të datës 7 nëntor, është pezulluar nga 8 nëntori për shkak të raportit të Policisë së Kosovës, raportit negativ të auditorëve, raportit të BE-së, ankesave të fermerëve dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës së të punësuarës e cila ka qenë në pushim të lehonisë.

Po ashtu potencohet se vendimi i dytë po merret duke u bazuar në hetimet e bëra nga Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Kosrrupsionit nga Policia e Kosovës, raportin e Auditimit gjatë viteve 2014, 2015, 2016 në Agjencinë për udhëheqësin më të lartë administrativ, kryeshefin ekezekutiv.

Në vendim thuhet se pas identifikimit të parregullsive dhe kepërdorimeve të mëdha në punën e Agjencisë, konsiderohet e papranueshme që lëshimet e tilla në punë do të tolerohen edhe më tutje.

“Sepse kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave të qytetarëve të cilët kanë ushtruar ankesa për punën e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, në krye të së cilës ka qenë z.Elhami Hajdari, i cili nuk ka respektuar procedurat, afatet ligjore dhe mënyrën e marrjes së shërbimeve nga Agjencia, prandaj një qëndrim i tillë jo profesional është jo frytdhënës dhe negativ për qytetarët, për të cilin ai vetë është drejtpërdrejt përgjegjës për mos funksionimin e Agjencisë”, vazhdon vendimin e dytë të marrë me 7 nëntor.

Më tej vendimi vazhdon me atë se Komisioni Evropian nga viti 2016 ka paraqitur një raport negativ që përcakton dhe vërteton një sërë parregullsish dhe shkeljesh të rënda të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi në punën e Agjencisë.

“Duke konstatuar se nuk janë përfillur standardet dhe kriteret e përcaktuara për funksionalizim të Agjencisë, duke shtuar se parregullsitë e njëjta të Agjencisë përsëriten në raportet e Komisionit Evropian edhe në vitin 2018”, thuhet në vendimin e dytë të cilin e ka siguruar Kallxo.com.

Një arsye tjetër për pezullimin e Hajdarit është edhe ankesat e fermerëve, që sipas vendimit janë ushtruar një pas një në AZhB dhe që janë refuzuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Kallxo.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

 

Vendimi i parë i ministrit Nenad Rikalo, Foto: Kallxo.com
Vendimi i parë i ministrit Nenad Rikalo, Foto: Kallxo.com