Djali i komandanit në garë për t`u bërë polic

Betim Hasi, djali i drejtorit regjional të Policisë së Gjakovës Ahmet Hasi, po synon të ndjek rrugën e babait të tij.

Në listën e parë me emrat e kandidatëve që i plotësonin kushtet për t`iu nënshtruar testeve për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës, nuk figuronte emri i Betim Hasit.

Mirëpo, në listën e publikuar së fundmi emri i tij tani figuron në këtë listë si njëri nga kandidatët që i plotëson kushtet për të vazhduar me testet terja që organizon Policia.

I kontaktuar përmes telefonit nga KALLXO.com, drejtori Ahmet Hasi tha se nuk i di detajet se pse në listën e parë e kishin refuzuar djalin e tij.

“Unë nuk i di arsyet se pse e kanë refuzuar, por ju mund të flisni direkt me Betimin dhe ai ju tregon”, ka thënë Hasi përmes telefonit.

Betim Hasi tha për KALLXO.com se pasi nuk e kishin përfshirë emrin e tij në listën e parë të publikuar, ai kishte ushtruar ankesë.

“Unë s`kam qenë në listën e parë, por jam ankuar. Arsyeja pse s`kam qenë në listën e parë ka të bëjë me diplomën time. Policia kanë pasur paqartësi dhe me ankesë unë i kam ofruar të gjitha dëshmitë e nevojshme dhe tani në listën e dytë, pra pasi është shqyrtuar ankesa ime më ka dal emri edhe mua”, ka deklaruar Betim Hasi, kandidat për t`u bërë pjesëtar i Policisë.

Hasi tha se gjithçka ka qenë në rregull edhe herën e parë, por se emri i ka dalë në listën e dytë vetëm pasi ai bëri ankesë.

I pyetur se a pret se do të bëhet pjesëtar iu policisë, ai tha: “Nuk mund ta di”.

Ai ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë ndikimi nga ana e babit të tij, Ahmet Hasi, drejtor regjional i Policisë në Gjakovë që emri i tij të publikohet si njëri nga kandidatë që i plotëson kushtet për t`iu nënshtruar testeve për t`u bërë pjesë e Policisë.