Ditmir Bushati: Ramushi po e dëshmon së është artizan i paqes

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati thotë se dorëheqja e Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit, është forca e shembullit të një shtetari për të cilin, Kosova vjen gjithnjë e para.

Ai theksoi se ky veprim i Haradinajt për t’u ballafaquar me drejtësinë, do ta lartësojë luftën e shenjtë për liri të Kosovës, si dhe kontributin e pamohueshëm të tij.

“Ramushi ka fituar luftën e përmes forcës së shembullit po dëshmon së është artizan i paqes. Sot, Kosova ka nevojë për unitet e largpamësi për të tejkaluar sfidat e brendshme e për të fuqizuar më tej subjektivitetin juridiko ndërkombëtar që duan t’ia vënë në pikëpyetje”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

 

 

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/haradinaj-per-ftesen-e-speciales-do-tu-pergjigjem-shpifesve/

https://kallxo.com/opsionet-kushtetuese-te-hashim-thacit-pas-renies-se-qeverise/

.