Panairi i vetëpunësimit | Foto: KALLXO.com

Dita e Vetëpunësimit për Nxitje të Ndërmarrësisë

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) shënuan “Ditën e Vetëpunësimit” me anë të një panairi njëditor në të cilin u promovuan produkte vendore nga kompanitë që përfituan grantet.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se ky projekt për dy vjet në vazhdimësi ka nxitur ndërmarrësinë.

“Ky ishte edhe qëllimi ynë,që të promovojmë sa më shumë ndërmarrësinë pasi që mendojmë se ka potencial të madh të punohet në Kosovë”, tha Abrashi.

Njëri nga përfituesit e granteve , Bastri Bardhi që në këtë panair i cili promovonte vetëm produktet vendore, përfaqësonte kompaninë për letra kuzhine “Hello” tha se trajnimi për krijimin e produkteve vendore ka zgjatur dy javë.

“Kanë aplikuar rreth 500 kompani dhe janë përzgjedhur vetëm 43 prej tyre për përfitimin e granteve. Për të aplikuar në këtë trajnim ka qenë e nevojshme paraqitja e idesë në letër, analizimi i konkurrencës vendore, miratimi nga komisioni dhe pastaj plani i biznesit”, tha Bardhi.

Ndërsa Alessandra Roccasalvo , përfaqësuese e UNDP-së tha se vetëpunësimi nuk është thjesht një projekt, por është  një mekanizëm për t’i futur të gjithë të papunët në punë në Kosovë.

“Ky projekt është një mekanizëm për t’i integruar njerëzit në tregun  e punës dhe për ta çuar vendin drejt Bashkimit Europian”, tha Roccasalvo.

Programi i vetëpunësimit përqendrohet në identifikimin e ideve inovative që prodhojnë rezultate të qëndrueshme .

Ky program zbatohet me mbështetjen e projektit “Programet Aktive të Tregut të Punës 2” në UNDP dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale .