Dita e Prishtinës rikthen në skenë grupin ‘Gjurmët’

Me moton “Kur kanga dhe dashnia u kthyen në qytet’, grupi legjendar kosovar “Gjurmët’ do të mbajë nesër mbrëma koncert në Sallën  “1 Tetori”, në Prishtinë.

Grupi ikonë i Prishtinës “Gjurmët” rikthehet pas më shumë se 30 vjetëve në skenën muzikore me koncert  për shënimin e ditës së çlirimit të Prishtinës, duke sjellë kështu përveç tjerash edhe kujtimet dhe momentet më të veçanta të një kohë të artë.

Koncerti i rok grupit ‘Gjurmët’ pritet të sjellë performanca të zjarrta, sikurse shumë vite më parë, këngët e të cilit ende vazhdojë të bëjnë jetën e tyre.

Koncerti i nesërm në sallën “1 Tetori” do të bëjë bashkë disa gjenerata këngëtarësh meqë pjesë e koncertit të “Gjurmëve” do të jenë edhe të ftuar tjerë emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, si: Edona Vatoci Elina Duni, Dren Abazi, Shpat Deta, Bojken Lako, etj.

Koncerti mbahet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Prishtinës dhe të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga shitja e biletave do të shkojnë për blerjen e instrumenteve muzikore për nder të 70 vjetorit të shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova“ në Prishtinë.