Dita A

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in kishte nisur aksionin për arrestimin e një grupi prej 40 personave, në krye të të cilëve ishte deputeti i PDK-së, Azem Syla.

EULEX qysh në mëngjes kishte trokitur në derën e shtëpisë ku banon Azem Syla, por për shkak se ai nuk ndodhej në shtëpi i ka lënë një ftesë për t’u paraqitur dhe për t’u intervistuar.

Por, në aksionin i cili ka përfshirë bastisjen e 42 lokacioneve deri tash janë arrestuar vetëm 6 persona.

Në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit thuhet se në këtë aksion janë angazhuar rreth 350 policë.

“Hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ndaj këtij rasti, PDK nuk ka dashur të komentojë. Mirëpo, ish-kryetari i saj, tash President ka përshëndetur këtë aksion.

“E përshëndes dhe mbështes fuqishëm aksionin e organeve kombëtare dhe ndërkombëtare të rendit dhe ligjit”, kishte shkruar Hashim Thaçi në në profilin e tij në “Facebook”.

Ndërsa aksionin e sotëm të bastisjeve Xhavit Jashari, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, e vlerësoi përpjekje të EULEX-it për arsyetim të mospunës.

Por, ndryshe nga Jashari mendon Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka thënë që Kosova po qeveriset nga njerëz të korruptuar”, ka thënë Frashër Krasniqi.

Në kuadër të aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it ndaj grupit të drejtuar nga deputeti Azem Syla janë kontrolluar edhe qelitë e burgut të Fahredin Gashit dhe Shpresim Ukës, të dënuar në rastin “Bllaca”.

Këtij të fundit  është bastisur edhe shtëpia.

Policia e Kosovës i kanë shkuar në shtëpi sot ish- shoferit të PDK-së, Arton V. i cili është në listën e personave të kërkuar në rastin në të cilin po kërkohet edhe deputeti i PDK-së dhe ish komandanti i UÇK-së, Azem Syla.

Të arrestuarit e ditës së sotme: Artan Villa, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu dhe Avni Maxhuni, në mesditë janë dërguar në gjykatë.

Prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccareli, ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjashtë të arrestuarve të sotëm t’u caktohet masë paraburgimi, por Gjykata nesër do të vendosë rreth masës së sigurisë.

Ndryshe, Prokuroria e Shtetit në reagimin e saj kishte thënë se Azem Syla po kërkohet qe 10 ditë. Mirëpo, i njëjti është parë pardje në shoqëri të Kadri Veselit e Isa Mustafës në Komoran.

Syla nuk është kapur ende nga organet e rendit.