Foto: ZKM

Diskutohet për Pensionet e Viktimave të Dhunës Seksuale

Në takimin që Kryeministri Ramush Haradinaj pati sot me një delegacion të shoqatave që mbrojnë viktimat e dhunës seksuale gjatë lufës u diskutua edhe për përcaktimin e shumës së pensionit për këtë kategori.

“Gjatë takimit, palët u dakorduan që në bashkëpunim të ngushtë me dikasteret përkatëse qeveritare të përcaktohet shuma e pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës dhe të vazhdohet me fazat e tjera të implementimit të ligjit për këtë kategori të shoqërisë”, thuhet në komuniktën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas komunikatës, Ramush Haradinaj u zotua që të gjitha palët të kryejnë detyrat e tyre në lidhje me verifikimin e atyre që përjetuan gjatë luftës.

Haradinaj u takua sot edhe me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, ndërsa në këtë takim mori pjesë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

“Në takim u diskutua për atë se deri ku ka arritur procesi i identifikimit dhe verifikimit të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe rreth veprimeve që duhet të ndërmerren për kompensimin e dëmeve dhe vendimit për një pension të veçantë për këtë kategori”, sqarohet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Verifikimi i atyre që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës është vonuar shumë gjatë viteve të fundit.

Kësaj kategorie të shoqërisë në shtator të vitit 2014 iu bë vend në ligjin për kategoritë e dala nga lufta dhe atëherë parashikohej që pas gjashtë muajsh të niste verifikimi.

Verifikimi-Beteja Tjetër e të Dhunuarave Gjatë Luftës

Në mbledhjen e 22 shtatorit të këtij viti, qeveria dha 200 mijë euro për shoqatat që mbrojnë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.