Foto-ilustrim

Diskutim për Ndryshimet e Ligjit të Mineraleve

Në dëgjimin publik në lidhje me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Minierat dhe Mineralet nga diskutuesit u përmendën mangësitë e këtij ligji.

Musa Shabani, kryesues i Bordit në Komisionin për Miniera dhe Minerale përmendi çështjet që duhet të jenë pjesë e ndryshim-plotësimit të ligjit.

“Harmonizimi i Ligjit të Minierave dhe Mineraleve me ligjet tjera, sidomos me Ligjin për Tokat Bujqësore dhe Ligjin për Pyjet e Kosovës, sepse këtu kemi një mosorganizim apo  kolizion ligjor tek sipërfaqet e lejuara të shfrytëzimit dhe kohëzgjatja e pëlqimeve tek Agjencioni i Pyjeve të Kosovës,” tha Shabani.

Ai tregoi se Ligji për Minierat dhe Mineralet lejon shfrytëzim të sipërfaqeve më të mëdha, ndërsa ai për pyjet këtë shfrytëzim e kufizon në pesë hektarë.

Shabani përmendi edhe çështje tjera si garancionet bankare për rikultivimin apo mbylljen e minierave pas shfrytëzimit që sipas tij nuk u përmbahen standardeve të Kosovës.

Në komision u fol edhe për çështjen e operimeve ilegale që u tha të futet në kuadër të obligimeve të inspektorëve të ministrive dhe komunave për parandalim të kësaj dukurie.

U diskutua edhe për zonat e interesit, lëndët energjetike, burokracinë dhe parqet nacionale.

Pranvera Dobruna, anëtare e Bordit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), tha se duhet të bëhet dallimi në mes të mineerave sipërfaqësore dhe atyre gurore.

Dobruna foli për problemin e licencimit për eksploatim të KEK-ut si ndërmarrje publike me ligjin ekzistues.

“KEK-u së fundmi ka pasur problem në licencimin e sipërfaqeve të blera të KEK-ut për eksploatim, për shkak se ligji është amandamentu, nuk ka përcaktua mirë aktivitetet minerare të thëngjillit edhe gurthyesve edhe ne si kompani publike është deshtë me dalë në tender të hapur për me u  licencu. Prandaj, këtë çështje e kemi zgjidhur përmes intervenimit të Kryeministrit që është i drejtë, me lypë tejkalim të ligjeve, KEK-u e ka zgjidhë këtë çështje,” tha Dobruna.

Por Kemajl Zeqiri nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) tha se në lidhje me eksploatimet e KEK-ut nuk është bërë kurrfarë anashkalimi ligjor.

“ Sa i përket ‘Trepçës’ dhe KEK-ut, Ligji për Miniera dhe Minerale parasheh lehtësime, është neni 49 që parasheh. Ju e dini se keni marrë licencën përkundër që nuk i kini plotësua  kriteret, por pikërisht duke u thirrur në atë nen 49, i mundësohet Komisionit për Miniera dhe Minerale t’ua japë licencën. Ndërsa edhe një plotësim i vogël- do të thotë se nuk është bërë asnjë anashkalim ligjor kur është  dhanë licenca KEK-ut, është kërkuar vetëm  në bazë të nenit 49, është kërku një vendim i Kryeministrit,” tha Zeqiri.

Neni 49 i Ligjit për Minierat dhe Mineralet parashikon lëshimin e licencave në interes të publikut dhe për ndërmarrjet publike.

Deputeti Raif Qela pjesëmarrës në dëgjim publik foli për dy vendimet e qeverisë për shprehje të interesit lidhur me dy projekte të ndryshme për rezervat e qymyrit në rajonin e Dukagjinit.

Sipas tij, pas shumë debatesh ka dhënë pëlqimin dhe si rezultat i kësaj  nga komisioni kanë dalë dy rekomandime që kanë precizuar saktësisht se këto licenca respektivisht miratimi është dhënë vetëm për licenca për hulumtim dhe jo edhe për shfrytëzim.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për kërkimin e licencës për hulumtim dhe shfrytëzim të qymyrit nga kompania “Envidity…” bordi i së cilës drejtohet nga gjenerali Wesley Clark.