Disa shkolla në Mitrovicë shpërfillin thirrjet e SBAShK-ut, fillojnë zëvendësim i orëve të humbura

Në shumë shkolla të komunës së Mitrovicës sipas një njoftimi të komunës, është respektuar vendimi që ka marr Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe ka filluar kompensimi i ditëve të humbura si pasojë e grevës së personelit arsimor.

Siç thuhet në njoftimin e komunës së Mitrovicës, drejtori i Arsimit, Iset Beka, ka thënë se në shumicën e shkollave sot është mbajt mësimi.

“Shumë shkolla të komunës sonë sot janë duke zbatuar në plotësi vendimin e MASHT-it që të kompensohen orët e humbura gjatë periudhës se grevës së arsimtarëve. Këtë e kemi parë vetë në vizitën që kemi bërë me stafin e drejtorisë në disa nga shkollat tona”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Iset Beka.

Drejtori Beka ka falënderuar personelin arsimor në këtë shkolla për respektimin e vendimit dhe gatishmërinë që të përmbushin plan programin e punës në procesin arsimor.

Ndërsa zyrtarët komunal nga DKA kanë theksuar se  vijueshmëria e nxënësve është sikurse në secilën ditë që dëshmon seriozitetin e angazhimit edhe të shkollave por edhe të prindërve dhe vetë nxënësve për të kompensuar ditët e humbura të shkollës.