Nikolla Dimitrov - Foto: REL/AFP

Dimitrov: Po shtrohet rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Maqedonia e Veriut ka shumë arsye që të shpresojë se në qershor do të vendoset data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian pasi ka realizuar pjesën më të madhe të detyrimeve të përcaktuara nga Brukseli, vlerëson kështu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov.

“Ne kishim raport të shkëlqyer qershorin e vitit kaluar dhe Bashkimi Europian tha se rruga deri tek fillimi i bisedimeve po “vizatohet” (shtrihet qartë); vendimin e projektuan për qershorin e këtij viti“.

“Do të jetë problem i madh për kredibilitetin e tërë procesit të aderimit të politikës së BE-së ndaj Ballkanit nëse nuk mbështetet suksesi i vendit tonë, që pati sukses në pastrimin e rrugës e cila ishte me shumë vështirësi ishte barrikaduar seriozisht viteve të fundit, që nga viti 2005”, vlerëson Dimitrov.

Sipas tij Maqedonia e Veriut ka arritur të instalojë mekanizma të shëndoshë për të parandaluar korrupsionin dhe për të mundësuar funksionimin e shtetit ligjor.

“Kemi argument të madh, jo vetëm me ligjin e ri, me të cilin u formua Komisioni për Antikorrupsion, por edhe – si i zgjodhëm antikorrupsionarët. Do të thotë, kemi Komision me dhëmbë, që mund të kafshojë, të përbërë nga njerëz që u zgjodhën në një proces shumë transparent, publik, dhe prej gjithkujt pa marrë sinjale se atje kemi një ekspertizë të jashtëzakonshme“.

“Edhe disa gjëra të tilla po të dorëzojmë, do të jemi në një kondicion shumë të mirë, pas zgjedhjeve evropiane të na lejojnë që ta fillojmë udhëtimin drejt Evropës dhe të garojmë rreth asaj çka ia vlen, në kuptimin e reformave, me Malin e Zi dhe me Serbinë”, konsideron shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov“.

Por, ekspertët e çështjeve juridike thonë se lë shumë për të shpresuar implementimi praktik i ligjeve reformuese në sistemin e drejtësisë.

Bashkim Selmani, ish gjykatës, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjyqësori në Maqedoni në aspektin praktik nuk ka asnjë element ndryshimi.

Selmani thotë se pikërisht Komisioni për parandalimin e korrupsionit siç shprehet “ka marrë plagë ende pa filluar të funksionojë me vetë faktin se zëvendëskryetari i këtij organi ka afërsi familjare me kryetarin e Parlamentit të vendit”.

“Diplomacia ndërkombëtare matë edhe realizmin e brendshëm të ligjeve përkatësisht sa ata janë funksionale ligjet reformuese në gjyqësor“.

“Maqedonia pranoi si kusht të jetë shtet i së drejtës dhe pikërisht këtu me të gjitha këto skandalet e fundit nepotizmin, amnistinë duket se edhe kjo përbërje qeveritare me asgjë nuk ndryshon nga qeveria e kaluar.” thotë Selmani duke shtuar se faktori ndërkombëtar jo rrallë herë ka mbyllur sytë për shumë çështje sa i përket Maqedonisë për shkak të brishtësisë politike, por një gjë të tillë më nuk do ta bëjë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, konsideron se deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe të ministrit të Mbrojtjes Vulin, se Shkupi po bëhet qendër e aktiviteteve të zbulimit kundër Beogradit, nuk do të prishin raportet mes vendeve fqinje.

“Vizioni ynë për Ballkanin niset nga supozimi se ne nuk mund të jemi të suksesshëm dhe të shkojmë përpara nëse edhe fqinjët tanë nuk janë të suksesshëm dhe të mos shkojnë përpara. Ne kemi interes të fortë që edhe Serbia të jetë e suksesshme, edhe Shqipëria të jetë e suksesshme, edhe Kosova të jetë e suksesshme e kështu me radhë e kështu me radhë“.

“Dhe, në këtë kuptim, duke e pasur parasysh se ne me Serbinë kemi të kaluar të përbashkët, në federatën e mëparshme jugosllave, jam i bindur se kemi edhe ardhmëri të përbashkët në Bashkimin Europian të ardhshëm. Është çështje lideriste dhe racionaliteti, a do të mbërrijmë atje bashkë, dorë për dore, duke u mbështetur, apo duke u hëngër me fjalë, me deklarata”, thotë Dimitrov. (REL)