Dilema se Kush Duhet të Zgjidhë Trashëgiminë

Hyrja në fuqi e Ligjit të Noterisë dhe paqartësitë se si duhet të zhvillohet procedura kanë lënë dilema të shumta në mes të noterëve e gjykatësve se kush është kompetent të merret me zgjidhjen e çështjeve jokontestimore të trashëgimisë.

Sipas Ligjit, çështje jokontestimore të trashëgimisë konsiderohen rastet kur palët me marrëveshje vendosin të ndajnë trashëgiminë apo të heqin dorë nga trashëgimia.

Në nenin 29 të Ligjit mbi Noterinë parashihet se noterët kanë të drejtë të bëjnë trajtimin e të gjitha procedurave jokontestimore trashëgimore.

Hyrja në fuqi e këtij Ligji kishte paraparë edhe ndryshimet e nevojshme ligjore në Ligjin për Trashëgiminë dhe atë për procedurën jokontestimore. Ndryshimet në fjalë ende nuk janë bërë në ligjet aktuale.

Siç vëren KALLXO.com, Ligji i Trashëgimisë parasheh që procedura duhet të zhvillohet në gjykata ose tek organet e tjera të autorizuara pa i përmendur noterët. Ndërsa në Ligjin për Procedurën Jokontestimore  përmendet vetëm gjykata si kompetente për shqyrtimin e trashëgimisë.

Profesori i të drejtës trashëgimore Hamdi Podvorica thotë se ka dilema edhe në mesin e juristëve për procedurën e shqyrtimit të trashëgimisë pasi që edhe Ligji për Noterinë edhe dispozitat për procedurën jokontestimore janë në fuqi.

“Duhet theksuar se këto dispozita edhe më tutje janë në fuqi prandaj ka dilema edhe në mesin e juristëve se a duhet të shqyrtohet pasuria trashëgimore në gjykata themelore apo te noterët. Lidhur me këtë duhet të theksohet se ka një kolizion të dispozitave të Ligjit të Procedurës Jokontestimore dhe me Ligjin e Noterisë së Kosovës”, tha Podvorica.

Dilemat e profesorit i ka edhe gjykatësja Drita Rexhaj, e cila merret me shqyrtimin e trashëgimisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Sa i përket shqyrtimit të trashëgimisë edhe më tutje mendoj që gjykata themelore kanë kompetencë lëndore”, thotë Rexhaj.

E në kolizionin e ligjeve noteri Sefadin Blakaj thotë se nuk është kontestuese kompetenca se a kanë të drejtë noterët të bëjnë shqyrtimin e trashëgimisë, por ai si mungesë e sheh vetëm pjesën procedurale se si të ofrohet shërbimi.

“E kam përshtypjen se kornizës tonë ligjore i mungon vetëm pjesa procedurale se si të ofrohet ky shërbim e jo a duhet të ofrohet se në kuptimin se a duhet të ofrohet ose caktimit të kompetencës Ligji për Noterinë ofron një zgjidhje. Mirëpo zgjidhja adekuate na mungon në kuptim të zbatimit të kësaj kompetence e që është pjesa procedurale”, tha Blakaj

Në situata të konfliktit të kompetencës zgjidhja e trashëgimisë në lëndët jokontestimore vazhdon të kryhet nga të dyja palët.

Sipas gjykatëses Drita Rexhaj, gjykata asnjëherë nuk është shpallur jokompetente në pikëpamje lëndore edhe pse ka hyrë në fuqi Ligji për Noteri, pasi që në bazë të legjislacionit aktual ende gjykata është kompetente  për ta shqyrtuar trashëgiminë.

Për profesorin Podvorica nuk ka dilemë se kush duhet të zgjidhë trashëgiminë, mirëpo ai është i mendimit se ligji duhet të  precizohet se në cilat raste shqyrtimi bëhet nga gjykata e në cilat nga noterët.

“Unë mendoj se edhe më tutje duhet me mbetë në fuqi që gjykata ta bëjë shqyrtimin e trashëgimisë mirëpo dispozitat ligjore duhet të precizohen në atë mënyrë që se në cilat raste janë kompetente të shqyrtojnë trashëgiminë gjykatat e në cilat raste noterët” , tha Podvorica.

Sipas profesorit Podvorica dalja nga kjo gjendje e krijuar është që dispozitat ligjore duhet të precizohen dhe të harmonizohen njëra me tjetrën.