Dikush ec më Shpejt, Dikush Lexon më Shumë...
Në muhabetin e parë që e bënë pas më shumë se shtatë muajsh pa ‘konsumuar’ gaz lotsjellës apo pa pasur nevojë për ndërhyrje të policisë, liderë të koalicionit qeveritar dhe të opozitës nuk lëshuan rastin për ta thumbuar njëri- tjetrin.
Sebep për këtë ‘takim’ të tyre ishte një ngjarje e organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) kushtuar Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim e cila është nënshkruar vitin e kaluar dhe ka hyrë në fuqi më 1 prill.
Aty nuk mungoi Visar Ymeri i Vetëvendosjes edhe pse grupi parlamentar i partisë që drejton, kur u ratifikua kjo marrëveshje në Kuvend, nuk mori pjesë fare në votim.
I ulur në mes, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ishte vija që simbolikisht bashkonte dy polet, prej sa muajsh të ndarë.
Në fjalimin e tij hyrës ku foli për të mirat e MSA-së, Zhbogar nuk harroi t’u kërkojë të dyja palëve të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
“Duam të shohim të fuqizuar sundimin e ligjit dhe një kuvend të qetë”, u shpreh ai.
“E ardhmja e Kosovës evropiane ka nisur me MSA-në”, u shpreh Zhbogar.
E shefi i qeverisë Isa Mustafa, duke e vlerësuar marrëveshjen 600 faqëshe si njërën prej marrëveshjeve më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë, tha se për realizmin e saj nevojitet një “sinergji e përbashkët”.
“Kur njeriu ecën vetëm shkon më shpejt, por kur ec në grup, atëherë arrin më larg”, tha Mustafa në deklaratën e tij.
I paraparë që të flasë pas Mustafës, kryeparlamentari Kadri Veseli u lëshoi rendin opozitarëve.
I pari nga ta foli kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Ndryshe nga të gjithë panelistët që në fjalën hyrëse përshëndetën secilin me emër, Ymerit sikur i “ngutej” të tregonte se BE-ja nuk është parajsë e MSA-ja nuk është aq e mirë, ashtu siç thanë dy parafolësit e tij.
Pas një “përshëndetje për të gjithë”, Ymeri tha se Bashkimi Evropian dhe diskursi për integrim më shumë tingëllojnë si mit sesa diskutim politik.
“Kur flitet për BE-në, BE merr karakterin e një parajse… parajsë që na premtohet pas aderimit në BE”, tha Ymeri.
“Bashkimi Evropian është përdorur si një lloj flamuri pas të cilit janë fshehur të pabëmat e politikanëve dhe Qeverive të Kosovës”, u shpreh ai.
E për BE-në tha se ajo Kosovën nuk e trajton si shtet, sepse akoma nuk është njohur nga 5 shtetet anëtare të saj.
“Kosova nuk shihet si shtet sovran por si pjesë e Serbisë, si entitet statusi i së cilës nuk është i definuar”, tha Ymeri.
“Kio marrëveshje për Stabilizim -Asocim nëse nuk ndryshon, më shumë do ta dëmtojë sesa ndihmojë Kosovën në rrugën për BE dhe zhvillimin ekonomik”, tha lideri i Vetëvendosjes.
Opozitar më i butë ishte nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.
Ai tha se Kosova ka bërë hapa të gabueshëm, ndërsa theks të veçantë i dha humbjes së besimit të qytetarëve në institucione dhe humbjes së besimit të ndërsjellë mes forcave politike.
Por për dallim nga Ymeri, Gjini tha se Kosova Republikë është realitet i pakthyeshëm.
“Procesi i integrimit është i pamjaftueshëm që ta nxjerrë Kosovën prej krizës politike”, u shpreh Gjini.
Ndërsa liberalizimi i vizave ishte kryefjala në fjalimin e nënkryetarit të Nismës, Jakup Krasniqi.
“Kemi të drejtë por shpeshherë nuk mjafton që të kesh te drejtë. Na mungon liberalizimi i vizave, një MSA e plotë si të gjitha shtetet e rajonit, sepse kjo që po flasim nuk është e plotë sepse Kosova është me një fusnotë”, tha ish kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Madje ai ka fajësuar edhe BE-në për dialogun Kosovë-Serbi ndërsa tha se “ma mirë ka qenë para 7-8 viteve se tash”.
“Këtu nuk është faji vetëm i Kosovës, por edhe i Bashkimit Evropian. Pse? Sepse ka lejuar që ta personalizon dialogun e Kosovës dhe Serbisë me një person, kështu e shton pasigurinë jo vetëm te investimeve por edhe të qytetarëve edhe në mes të pozitës e opozitës. Derisa po flasim e dimë qe tash dy vite nuk ka dialog te mirëfilltë në mes të pozitës dhe opozitës. Duhet të ndryshohet praktika e dialogut në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Krasniqi.
Veseli që lëshoi rend, foli i fundit në këtë takim.
“Nuk ka rëndësi kush flet i pari, të gjithë jemi të barabartë”, tha ai kur e mori fjalën.
Ai tha se pret liberalizimin e vizave, duke iu drejtuar si me shaka Samuel Zhbogarit me fjalët “ne ju presim edhe 10 vite, por qytetarët nuk po presim”.
“Ne nuk jemi duke e kuptuar shtyrjen, pasi i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Jemi i vetmi vend i izoluar. Është momenti vendimtar për t’u dhënë shpresë qytetarëve të këtij vendi. Kosova është i vetmi vend që e feston ditën e BE-së, pa qenë pjesë e saj”, tha Veseli.
Diçka që nuk i pëlqeu Veselit ishte se parafolësit e tij shpesh e përmendnin Serbinë.
“Në Kosovë ajo nuk ka më çfarë të kërkojë. Por është interes yni që të krijojmë raporte të mira fqinjësore. Ftoj (Samuel) Zhbogarin që ta shohë çfarë po ndodh në veri të MItrovicës. Tash e 17 vjet bashkëkombasit e mi nuk kanë mundësi të kthehen në pronat e veta”, tha Veseli.
Kur e mori fjalën për së dyti, Visar Ymeri polemizoi me fjalët e Kadri Veselit.
“Qe për shembull unë kam problem me dy fjali të Veselit. Na takon ligjërisht liberalizimi dhe indentitet natyror. Pse të takon ligjërisht, çfarë ligji kemi nxjerrë na që na takon?”, pyeti Ymeri
Veseli dha arsyetimin e tij për fjalët që i kishte thënë me një batutë që disa herë është dëgjuar edhe në debatet brenda sallës së Kuvendit.
“Nejse Visar edhe na lexojmë, ndoshta ju lexoni ma shumë se i tjerrni senet, po edhe na lexojmë”, u përgjigj Veseli.