Vetura e djegur e drejtorit të Radio Pejës. Foto e dërguar nga një qytetar në KALLXO.com

Digjet Vetura e Drejtorit të Radio Pejës

Vetura e drejtorit të Radio Pejës, Xhavit Husaj, është djegur nga zjarri sot në orët e hershme të mëngjesit.

Incidenti ka ndodhur në parkingun e lagjes “Haxhi Zeka”,  në rrugën “Ramë Husaj”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar pronari i veturës, Xhavit Husaj, drejtor i Radio Pejës.

“Rreth orës 5:00 të mëngjesit fqinjët me kanë njoftuar se vetura ime është duke u djegur nga zjarri. Menjëherë kemi lajmëruar Policinë dhe Zjarrfikësit. Vetura ka qenë në parkuar në parking, ku janë edhe rreth 50 vetura tjera të lagjes”, tha ai.

“Unë nuk dyshoj në askënd sepse askujt nuk i kam obligime as borxh. Nëse ka dyshime se është djegur nga ndokush me ndonjë qëllim le të merren organet e drejtësisë me këtë rast”, tha Xhavit Husaj për KALLXO.com.

Vetura e djegur e drejtorit te Radio Pejes

Ndërkohë, Polica Rajonale e Pejës ka konfirmuar incidentin.

Zëdhënësi i Policisë, Xhevat Ibraj, tha për KALLXO.com se dy vetura janë dëmtuar si pasojë e zjarrit.

Veturat, sipas tij, janë të personave të ndryshëm, ndërsa njëra ka dëmtime më të mëdha.

“Janë ndërmarrë masa menjëherë nga njësitet policore dhe zjarrfikësit. Rasti është nën hetim dhe do shikohet a ka persona të dyshuar dhe të dihet motivi”, tha zëdhënësi Policisë Rajonale të Pejës.