Takimi mes ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi dhe kryetarit të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, Foto: Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike

Diaspora shqiptare mblidhet në Prekaz me 1 dhe 2 gusht

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherish ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, e ka vizituar sot komunën e Skenderajt, ku është takuar me kryetarin e komunës, Bekim Jasharin.

Mes tjerash gjatë këtij takimi u diskutua më konkretisht për manifestimin të datës 1 dhe 2 gusht, Dita e Diasporës, i cili që nga viti 2013 është mbajtur tradicionalisht në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

“Edhe këtë vit, ministri Gashi dhe kryetari Jashari, u dakorduan që gjatë datës 1 gusht, tradicionalisht të organizohen homazhe tek varrezat e Familjes Jashari për bashkatdhetarët tanë, organizim ky i përbashkët mes përfaqësuesve të familjes së komandantit Adem Jashari, komunës së Skenderajt dhe ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Në këtë ceremoni do të merr pjesë edhe ministri i Shtetit për Diasporën nga Shqipëria, Pandeli Majko si dhe personalitete të tjera nga jeta politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Ndryshe, data 2 gusht në Kosovë është e rregulluar me Ligjin mbi Diasporën, dhe shënon ditën e Diasporës. Gjatë dy ditëve, Ministria e Diasporës në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, organizon aktivitete të shumta dhe ndër të tjerat do të ndajë edhe çmimet për Mërgimtarin e Vitit si dhe çmimet për Gazetarin / Storien e vitit për Diasporën.