Konferenca “Diaspora - Investimet dhe Punësimi” - Foto: KALLXO.com

Diaspora, e Rëndësisë së Veçantë për Investime

Diaspora ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet e një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kështu u tha në një konferencë të organizuar në Prishtinë nga Ministria e Diasporës në partneritet me organizatën gjermane “GIZ”, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Odën Ekonomike Gjermano–Kosovare, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, KIESA-në.

Në konferencë janë duke u diskutuar mundësitë e investimeve për kompanitë e diasporës në Kosovë, si dhe mundësitë ligjore të migrimit për punë në Gjermani.

Me këtë rast, kryetari Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, tha se mërgata është shumë e fuqishme dhe se kjo dëshmohet me investimet e suksesshme të bëra në Kosovë.

Në anën tjetër, ministri i Diasporës, Valon Murati, theksoi se sot diaspora përbënë potencialin më të madh financiar dhe profesional.

“Diaspora sot përbën potencial shumëfish më të madh, jo vetëm financiar, por edhe profesional. Për ta lëvizur këtë potencial, Ministria e Diasporës ka filluar dhe po vazhdon me sukses krijimin e lidhjeve brenda diasporës sonë përmes implementimit të projektit të rrjetëzimit”, theksoi ministri, duke shtuar se krijimi i mundësive për zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve të diasporës përmes bashkëpunimit mes tyre, si dhe përmes projekteve të përbashkëta midis nesh krijon mundësinë për zhvillimin  e tyre dhe të vendit.

Ministri Murati theksoi po ashtu se Kosova për çdo vit pranon nga 600 deri 700 milionë euro nga diaspora.

Gjithashtu, ministri potencoi se në Strategjinë Kombëtare për zhvillim 2016-2021, diaspora është përfshirë me kapitalin njerëzor dhe me industritë konkurruese.

Kurse, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Qeveria ka punuar me vendosmëri për zbatimin e reformave, sidomos në sferën e investimeve.

“Në këtë drejtim është përmirësuar legjislacioni, politikat fiskale, si dhe janë mënjanuar shumë barriera për lehtësimin e bizneseve. I inkurajomë bizneset që të mos rreshtin me kërkesat e tyre, kritikat e tyre karshi institucioneve, sepse vetëm kështu e bëjmë Kosovën më të mirë”, u shpreh ministrja.

Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, theksoi se diaspora mund të luajë një rol shumë të madh duke transmetuar dijen dhe përvojat në vendin e vet. “Për zhvillimin e vendit, nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet”, theksoi ambasadorja.

Nazmi Viqa, kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, tha se diaspora ka potencial për të investuar në Kosovë dhe se ky Union ka dhe kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës.

“Diaspora dhe përfaqësuesit e saj, bashkë me partnerët e tyre, kanë potencial për të investuar në Kosovë, për t`i ngritur kapacitetet për zhvillimin ekonomik të bizneseve. Unioni i Bizneseve i ka disa propozime, ndër to të ketë siguri juridike, stimulime dhe infrastruktura e klima për investime të jetë serioze”, tha ai.

Në fund, Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se diaspora e Kosovës ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për zhvillimin ekonomik përmes investimeve, por edhe përmirësimin e imazhit të vendit jashtë.

“Qëllimi i kësaj konference është të krijohen lehtësi për investimet në diasporë, si dhe ato të përfitojnë nga fuqia punëtore”, tha Abrashi.

Konferenca do t’i vazhdojë punimet gjatë tërë ditës me prezantimet rreth mundësive për investime, ndërsa nesër do të mbahet panairi, në të cilin do të marrin pjesë kompani të ndryshme nga diaspora, Kosova dhe vendet e rajonit.